Emrat e rinj të drejtuesve të Policisë në disa qarqe të vendit pritet të njoftohen zyrtarisht për largimin e tyre dhe zëvendësimin nga të tjerë drejtues. Janë disa urdhra që pritet të dalin nga organizata e Policisë së Shtetit, për këto lëvizje të cilat këtë herë do jenë të shumta. Brenda radhëve të uniformave blu emrat e atyre që do të ikin dhe të tjerëve që do i zëvendësojnë, janë bërë tashmë fakt, por pritet vetëm firma e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku. Shkresa ndodhet në tavolinën e tij dhe në orët në vazhdim do të firmoset.
100 ditëshi që kryeministri Edi Rama i la si afat Rrumbullakut për të riorganizuar strukturat dhe për të zbardhur ngjarjet kriminale që kanë tronditur opinionin publik, ka përfunduar. Duket se bashkë me të ka përfunduar dhe analiza brenda vetë strukturave të Policisë së Shtetit.
Sipas asaj që media ka arritur të mësoj jozyrtarisht, dy nga Drejtoritë Vendore që do të preken nga ky riorganizim për një impuls të ri në luftën kundër krimit, janë Tirana dhe Fieri. Po ashtu, një qark tjetër që preket nga këto ndryshime është dhe ai i Vlorës, ku Gentian Berberi pritet t’i lërë vendin Ermal Muçës.
Newsbomb.al mëson se ndryshimet kanë prekur dhe strukturat e tjera veç Drejtorive Vendore, siç është Drejtoria e Forcave Lëvizëse Operacionale (FLO). Drejtuesi Sokol Bizhga pritet të shkojë në Drejtori të Përgjithshme, në vend të nëndrejtorit Tonin Vocaj. Vetë ky i fundit, pas urdhrit që do të firmos Muhamet Rrumbullaku, pritet të shkojë në krye të Policisë së Tiranës, ku aktualisht është drejtues Lorenc Panganika. Ndërkohë, drejtori i Shkodrës Hamdi Fjora pritet të vijë në Tiranë, në krye të Forcës Lëvizëse Operacionale.






