Ndryshojnë rregullat për gjuetinë. Në draftin e hedhur për konsultim publik parashikohet që toriumi të përfundojë në fund të 2025 ndërsa është në fuqi që prej 10 vitesh.
Në projektligjin e ri parashikohet që gjuetia të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara me qëllim menaxhimin dhe ruajtjen e llojeve të faunës së egër. Po ashtu parashikohet që zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private në përdorim me anë të një procedure konkurrimi për një afat jo më pak se 10 vjet, kjo për arsyen se sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Zonat e lejuara për gjueti që do jenë me pronësi shtetërore, private apo të kombinuara por duhet të kenë sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha.
Po ashtu në draft parashikohen që shkelësit e ligjit të përballen me gjoba më të ashpra nga ato që janë në fuqi dhe variojnë nga 200 mijë lekë deri në 1.3 milionë lekë në varësi të shkeljes. Gjuetarit të gjobitur i hiqet leja dhe arma e gjuetisë dhe nuk i kthehen pa paguar më parë gjobën, ndërsa të ardhurat nga gjoba do të derdhen në Buxhetin e Shtetit. Në draft është vendosur gjithashtu që gjahtarët, duhet të jenë mbi 25 vjeç, do të duhet të kalojnë një test njohurie shtetërore për faunën e egër në Shqipëri dhe do të licencohen dhe pajisjen me leje personale gjuetie.