Në kuadër të planit operacional “LIQENI 2025”, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë Speciale “DELTA”, Policinë Kufitare të Malit të Zi dhe me mbështetjen e FRONTEX, ka zhvilluar patrullime intensive në hapësirën ujore të qarkut Shkodër dhe në kufirin tokësor Shqipëri–Mal i Zi. Në këto kontrolle ka marrë pjesë edhe Administrata e Parkut Kombëtar të Liqenit të Shkodrës.
Operacioni synon parandalimin e veprimtarive të paligjshme në zonat kufitare, si trafikimi i narkotikëve dhe armëve, kalimet e paligjshme të kufirit, krimet ndaj mjedisit, si dhe kultivimi i bimëve narkotike. Njëkohësisht, synohet rritja e sigurisë për qytetarët dhe turistët që frekuentojnë zonën gjatë sezonit veror.
Kontrollet janë fokusuar në zonat më të frekuentuara nga mjetet lundruese, përfshirë liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe pikat strategjike tokësore e ujore. Gjatë fazës së parë të planit operacional janë verifikuar dokumentacionet e mjeteve lundruese, pajisjet e sigurisë, si dhe respektimi i rregullave dhe itinerareve të lundrimit.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër do të vijojë zbatimin e planit gjatë gjithë verës. Ky nivel bashkëpunimi ndërinstitucional dhe rajonal konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt garantimit të sigurisë, parandalimit të paligjshmërisë dhe forcimit të besimit të qytetarëve tek strukturat e rendit.
Qytetarët ftohen të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo veprimtari të dyshimtë pranë komisariateve të Policisë ose në numrin pa pagesë 112.