Pas 1 ore e 30 minutash, protesta e mbajtur nga opozita është mbyllur, edhe pse leja ishte marrë për 2 orë.

Fjalën hapëse e mbajti kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili u shpreh se kjo protestë do të zgjasë çdo javë deri sa kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku të japin dorëheqjen. Në foltoren e vendosur përpara Kryeministrisë folën gjithashtu deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dhe disa protestues. Protesta ishte e qetë, në të cilën nuk pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.

 

Berisha: Foltorja e dytë nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit

Ndaj dhe e mbylli parlamentin sepse do që këto të mos i thuhen në sy.
Do që këto të mos ia marrin vesh qytetarët.
Po në qoftë se ti kishe një eksperiencë personale, ai duhej të ishte një detyrim shumë herë më i madh për të bërë për secilin që është i agresuar nga ajo sëmundje, të kishte të njëjtat ilaçe.
Natyrisht ajo nuk mund të jetë se ata për ty janë qenie njerëzore, qenie për t’u përçmuar, qenie për t’u vjedhur, qenie për t’u larguar nga Shqipëria.
Në këto kushte, u bë e domosdoshme dalja në shesh në një platformë parlamentaro-qytetare.
Miqtë e mi, shumë kanë pyetur po çfarë është kjo foltore, çfarë është kjo platformë?
U rikujtoj se nuk është një gjetje origjinale e PD-së, as e opozitës.
Një platformë e tillë, me një fushë tenisi, transformoi Francën dhe Europën gjatë revolucionit.
Parlamenti kontinental transformoi SHBA dhe i bëri ata superfuqinë më të madhe të kohërave.
Foltorja me qytetarët e çliroi opozitën.
Foltorja me qytetarët e shpëtoi opozitën.
E ktheu atë në forcë sovrane të shqiptarëve.
E ktheu atë në një parti, e cila u përball në rrugën e saj me pengesa më të papara, me represionin, me agresionin ndaj saj.
Por përsëri, sot ajo mblidhet në foltoren e dytë, foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.
Ndaj dhe për të kuptuar pak misionin, hapni sytë dhe shihni si e ka rrethuar pëllëmbë e policë, pëllëmbë e gardistë, pëllëmbë e ushtarë.
Edvin, absolutisht je i pashpresë.
Fundi yt nga ky shesh do të vijë.
Të dashur miq, ne jemi në një regjim i cili dhunon votën e lirë.
I cili shtyp opozitën.
I cili në të vërtetë është i kalbur nga koka tek këmbët dhe nuk pritet gjë tjetër vetëm qëndrimi ynë, beteja jonë, vendosmëria jonë për të arkivuar në histori këtë regjim që mendon se do mbahet në këmbë me Skapin e partisë.
Që mendon se do mbahet në këmbë me dhunë, terror, blerje, shitje, pazare.
Por idealet janë ideale.
Janë më të fuqishme.
Janë forcë nukleare e njeriut.
Janë forca nukleare e shoqërisë.
Janë forca, të cilës asgjë nuk i reziston.
Ndaj dhe ju ftoj në këtë mision të vazhdojmë betejën tonë si misionarë.

 

Berisha: Kjo është platforma e një bashkimi më të madh se kurrë rreth vlerave më të shenjta, rreth votës së lirë dhe rreth familjes

Edhe njëherë, nderimin më të madh për ju, burra dhe gra që keni 4 vite të angazhuar në çdo betejë, të angazhuar në beteja ndër më të vështirat, por që i fituat, triumfuat mbi çdo të keqe, mbi çdo forcë, mbi çdo armik të pluralizmit politik në Shqipëri dhe qëndroni sot si dëshmitarë, si misionarë të vendosur për të rikthyer në Shqipëri votën e lirë.
Vlerat, familjen.
Mos harroni se parlamenti votoi me shpejtësi të rrufeshme narkoparlamenti, ligjin Xhorxh Soros, ligjin e shkatërrimit të familjes.
Ligjin, me të cilin ekstremistë të majtë në SHBA, nën ndikimin direkt të Xhorxh Sorosit, ndërmorën fushatën më të paimagjinueshme të ndryshimit të gjinisë.
Ligjin, me të cilin u vendos censura më e rreptë.
Ligjin, me të cilin presidentin Donald Trump, formuluan ndaj tij 35 akuza, e gjobitën qindra e qindra milionë euro.
Atë ligj votoi parlamenti.
Atë ligj, shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë.
Sepse ai ligj është shpërbërja e familjes.
Po u shpërbë familja, Shqipëria shpërbëhet, kombi shpërbëhet, zhduket, siç janë zhdukur kombet në histori.
Ndaj dhe ne sot këtu jemi të betuar se atë ligj nuk do e pranojmë kurrë.
Se familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i çdo shqiptari.
Familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i kombit shqiptar dhe Shqipërisë.
Kjo familje, këtë komb e ka sjellë gjer ditën e sotme nga lashtësia.
Kjo familje, këtë familje, Edi Rama dhe Lubia kërkojnë ta shkatërrojnë.
Kjo familje do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim.
Të gjithë ju dhe ata të cilët nuk janë sot me ne për një arsye apo një tjetër sepse nuk kanë pasur mundësi të vijnë, e keni për detyrë të ulemi me çdo shqiptar.
Të ulemi sepse platforma parlamentaro-qytetare është platformë e qytetarëve shqiptarë, demokratë, pa parti, por edhe e socialistëve që e duan familjen, që e duan Shqipërinë, që e duan vendin.
Kjo platformë është platforma e një bashkimi më të madh se kurrë të shqiptarëve rreth vlerave më të shenjta të tyre, rreth votës së lirë, rreth familjes.
Ndaj dhe nga kjo platformë, që do vazhdojë gjersa Rama dhe Belinda të shporren nga ai vend, do të shndërrohet në uraganin e fuqishëm, në uraganin e shpresës, në uraganin e besimit, në uraganin e fitores.
Rrofshi ju.
Rroftë opozita.
Rroftë Shqipëria!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu