Fleta e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të jetë gjigande, siç është zbuluar edhe përmes një modeli paraprak të siguruar më herët nga Report Tv. Por, në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara të 2021, kësaj radhe emrat e të gjithë kandidatëve deri më tani është parashikuar që të jenë të shkruar në listë ‘emër mbiemër’ dhe jo me numra. Pikërisht për ketë skenar, duket se KQZ është e papërgatitur.
Vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një konferencë me gazetarët tha se fleta është shumë e madhe dhe nuk janë të përgatitur se çfarë masash do të marrin nëse 25 subjektet e regjistruara do sjellin emrat e kandidatëve. Përmasa e madhe e fletës së votimit shkakton edhe probleme edhe për dërgimin e saj me postë tek të gjithë emigrantët që janë regjistruar për të votuar. Pagesa për votën e diasporës do të mbulohet nga buxheti i shtetit me një kosto 50 euro vajtje-ardhje.
“Fleta siç e kemi prezantuar është shumë e madhe. Vështirësi për organizimin dhe menaxhimin. Nuk di të them si do t’ia bëjmë nëse të 25 subjektet ia dalin të sjellin kandidatë. Nuk jemi përgatitur për këtë skenar”, tha Celibashi.KQZ ka krijuar këtë fletë votimi si më poshtë, me përmasa me lartësi 40 cm dhe gjerësi 60 centimetra. Ky model paraprak i Qarkut të Tiranës ka hapësirë për 7 subjekte dhe kandidatët e pavarur. Por, nëse 25 subjektet dorëzojnë të gjithë kandidatë, kjo fletë më këto përmasa është e pamjaftueshme dhe KQZ ende nuk e ka një skenar. Tre janë koalicione, ai i Sali Berishës me 26 parti, Dash Shehi me Enkelejd Alibeajn dhe Adriatik Lapaj me Endri Shabanin. Ndërsa 5 parti të tjera garojnë të vetme: PS, e Edi Ramës, Tom Doshi, Agron Shehaj, Arlind Qori dhe Lulzim Basha. 17 parti të tjera, figurojnë të regjistruara në KQZ si garuese në 11 maj, dhe kanë të drejtë të jenë në fletën e votimit. Kjo do ta bënte fletën edhe më gjigande e rrjedhimisht më absurde.