Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e qarkut Shkodër janë regjistruar dhjetëra vatra zjarri, shumica e të cilave janë izoluar falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse, policisë, shërbimit pyjor dhe ushtrisë.

Bashkia Shkodër
Në këtë bashki janë shënuar 11 raste zjarri në zona të ndryshme, përfshirë fshatrat Dragoç, Postribë, Ura e Shtrejtë, Bardhaj, Dajç, Suka Dajç, Berdicë dhe lagjen Kiras në qytet. Të gjitha vatrat u shuan në kohë, duke shmangur përhapjen. Gjithashtu, është ndërhyrë në një vatër në zonën pyjore Baks–Rrjoll (Kënetë Domni), e cila aktualisht është e izoluar nga sipërfaqja ujore.
Përveç ndërhyrjeve në territorin e saj, Bashkia Shkodër dërgoi 2 automjete zjarrfikëse në ndihmë të bashkive Vau Dejës dhe Malësi e Madhe.

Bashkia Malësi e Madhe
Janë regjistruar 2 raste zjarri, në fshatin Grumirçezmë (NJA Gruemirë) dhe në malin e Hotit (NJA Kastrat). Aktualisht nuk ka vatra aktive.

Bashkia Vau Dejës
U raportuan 4 raste zjarri, ndër të cilët më problematiku ishte në fshatin Hajmel. Situata u menaxhua pa dëme në njerëz apo banesa. Të gjitha rastet u raportuan në kohë pranë AKMC-së.

Bashkia Pukë
Janë shënuar 2 raste zjarri, ku një vatër në fshatin Mesul vijon aktive. Për shkak të erës së fortë, ekziston rreziku që ajo të dalë jashtë kontrollit. Në vendngjarje ndodhet një automjet zjarrfikës me efektivë.

Bashkia Fushë-Arrëz
Situata më e rëndë është regjistruar në këtë bashki, ku vatra e nisur në fshatin Xath u përhap gjatë natës, e favorizuar nga era e fortë, duke depërtuar në fshatin Flet dhe zonën e quajtur “Kunorë Dardhe”.
Zjarri ndodhet në terren malor, çka e vështirëson ndërhyrjen nga toka, dhe po digjen kryesisht pisha e bimësi e ndryshme. Dy banesa u evakuuan dje, por aktualisht nuk janë në rrezik.

Forcat e angazhuara në Fushë-Arrëz:

  • 9 zjarrfikës, 2 automjete zjarrfikëse dhe 1 autobot uji (MZSH Fushë-Arrëz)

  • 10 punonjës të sektorit të shërbimeve

  • 15 specialistë të shërbimit pyjor me 2 fuoristrada

  • 15 punonjës të Komisariatit të Policisë Pukë

  • 15 punonjës nga administrata e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe NJA Blerim

  • 50 ushtarë me 2 automjete zjarrfikëse

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë qarkun, ndërsa apelojnë për kujdes maksimal për shmangien e zjarreve të qëllimshme apo nga pakujdesia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu