Fitorja 0-1 në Leskovac kundër Serbisë dhe suksesi në Tiranë 4-2 në miqësore kundër Jordanisë, i kanë dhënë Shqipërisë të futbollit disa pikë të rëndësishme dhe një ngjitje me katër pozicione në renditjen e FIFA-s. Nëse kuqezinjtë për muajin shtator e mbyllën në vendin e 66-të, tanimë pritet që ta shohin veten në vendin e 62-të, duke fituar katër pozicione.
Renditja pritet të bëhet zyrtare më 23 tetor, por ‘football-ranking’ i ka paraprirë FIFA-s.
Jo vetëm Shqipëria, edhe Kosova pritet të ketë një rritje të ndjeshme në renditjen mujore të FIFA-s. “Dardanët” morën 4 pikë në 2 takimet e fundit, kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Ekipi i drejtuar nga Franco Foda pritet të fitojë 7-të pozicione duke renditur në vendin e 84-t.
Me këto arritje të dyja skuadrat kanë shtuar pikët në koeficientët e përllogaritjeve në FIFA, teksa janë në garë për një vend në play-off e Kupës së Botës. Muaji nëntor pritet të jetë ‘i nxehtë’ për dy skuadrat, me objektivin që është Botërori 2026.