Fermerët kanë afat deri në 30 shtator për të aplikuar në Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, për mbështetje në mbjellje të reja, në pemë frutore, agrume, ullishte dhe vreshta.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cila u shpreh se mbështetja do të jepet për mbjelljet e reja në pemë frutore, agrume, ullishte dhe vreshta në sipërfaqe 0.5 ha deri në 10 ha.
Denaj informoi se mbështetja financiare do të jetë deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore.
Sipas ministres Denaj, mbështetja financiare për mbjelljet e reja do të jetë jo më shumë se 800 000 lekë për hektarë dhe pagesë shtesë deri në 250,000 lekë për hektarë për sistemin e ujitjes me pika.
“Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, siguroni financim të plotë për të gjithë investimin”, u shpreh Denaj në një postim në rrjetet sociale.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën thirrje për të gjithë fermerët dhe agropërpunuesit që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen nga Skema Kombëtare e Investimeve 2025 për të realizuar investime të qëndrueshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri.
Mbështetja me grante në masën 50 % do të shoqërohet për gjatë gjithë vitit me asistencë të drejtpërdrejtë për disbursimin e masës së parë prej 30 %, brenda dhjetorit.