Mbrëmja e 30 Majit shënoi nisjen e festës së madhe të fëmijëve në Shkodër, ku çeli siparin edicioni i 63-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, një nga ngjarjet më të dashura kulturore për publikun e vogël dhe familjet shqiptare. Skena e vendosur në sheshin përpara Teatrit “Migjeni” u mbush me dritë, muzikë dhe gëzimin e fëmijëve.

Gjatë natës së parë, publiku pati mundësinë të shijojë 14 këngë të interpretuara nga fëmijë të talentuar nga trojet shqipfolëse e më gjërë. Performanca të kuruara me kujdes dhe emocione të sinqerta e bënë mbrëmjen një spektakël të vërtetë për të gjithë të pranishmit.

Këtë vit, për herë të parë, kënga që do të marrë çmimin e parë do të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionin ndërkombëtar “Junior Fest”, duke i dhënë festivalit një dimension të ri dhe më të gjerë përtej kufijve kombëtarë. Nikol Çabeli fituese e edicionit të 62-të tregon emocionet që të jep kjo skenë.

Në natën e dytë të festivalit, do të ngjiten në skenë 15 këngë të tjera konkuruese. Ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kur do të shpallet edhe kënga fituese. Festivali i Këngës për Fëmijë në Shkodër vazhdon të mbetet një traditë e vyer kulturore që promovon artin, talentin dhe ëndrrat e brezit të ri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu