Është festë, por jo të gjithë e ndjejnë. Nuk janë të paktë ata që e kalojnë në skamje, vetmi dhe mes dhimbjes edhe këtë Vit të Ri. Në Ujin e Ftohtë, fshati Lajthizë, një grua e moshuar e kaloi mbrëmë dhe sot në vetminë e përhershme, pa përkujdesje, në mes të pyllit dhe pa banesa të tjera afër. Nëna Faria thotë se nuk ka ndryshuar asgjë për të, edhe pse është festë. Ngushëllimi i saj, teksa jeton në vetmi, janë lotët. Thotë se i është dorëzuar Zotit dhe se për të jeta nuk ka më asnjë kuptim.

“Natën e ndërrimit të viteve e kalova vetëm. Nuk kam çfarë të bëj, këto janë punët e Zotit. Kështu jetoj vetëm gjithnjë në këtë banesë larg banesave të tjera të fshatit dhe në vetmi”

Banesa ku jeton nuk është e saj. Pas shembjes së shtëpisë ku e la bashkëshorti, një bashkëfshatar që ishte larguar nga fshati i ofroi strehëzën e tij, ku tashmë është strehuar 77 vjeçarja, Faria Pashkaj.

“Kjo nuk është shtëpia ime. Shtëpia e burrit tim ishte poshtë. U shemb ajo. Kjo është e një bashkëfshatarit që ka ikur nga këtu. Më ka thënë rri sa të duash. Kame frik se po ra borë do të bie dhe kjo brenda”

Ëndrra e saj është një banesë në Fushë Arrëz, pranë spitalit, aty ku mund të marrë më lehtësisht 5 000 lekëshin e pensionit, e vetmja e ardhur me të cilën mban frymën e moshuara mes malesh, teksa thotë se do të shkonte edhe në azil, por nuk ka mundësi të paguajë, siç i është kërkuar.

“Ishalla me ndihmo ju duke me gjet një shtëpi në Fushë Arrëz, aty është spitali afër dhe kamë mundësi me marr dhe pensionin. Në Azil po shkoj, por më kanë thënë duhen 200 mijë të vjetra në muaj. Nuk kam lekë”

Ajo thotë se në të gjithë jetën e saj kurrë nuk ka qenë e lumtur. Duket sikur nuk e do më jetën, teksa shpreson shumë se përmes nesh ajo do t’i gëzohet ndihmës së bamirësve, që mes festës mund të mendojnë edhe për 77-vjeçaren në vetmi dhe varfëri./ shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu