Besimtarët katolikë të Shkodrës kanë nisur kremtimet e festës së Zojës së Shkodrës, Pajtores qiellore të qytetit.
Procesioni i tyre në rrugët e zbukuruara të kryeqendrës së veriut shënoi fillimin e festës, duke sjellë një atmosferë përkushtimi dhe bashkimi shpirtëror.
Ceremonia nisi nga Katedralja “Shën Shtjefni”, nën drejtimin e Ipeshkvit Giovanni Peragine, ndërsa pjesëmarrja e qindra besimtarëve dëshmoi lidhjen e fortë të shkodranëve me këtë ditë të shenjtë.
Me figurën e lartësuar të Zojës së Shkodrës, procesioni ndaloi në disa pika të qytetit, ku u zhvilluan lutje e këngë devocioni.
Famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj, theksoi se kjo festë është dëshmi e një tradite të rrënjosur thellë në shpirtin e qytetit dhe simbol i besimit që Shkodra ka ruajtur ndër shekuj.
“Para së gjithash, ky procesion i përvitshëm personifikon atë çfarë është Maria në vetëvete. Aty është ngjallja dhe ringjallja e çdo gjëje. Maria është edhe shëmbëllesë, imazh i Kishës, e cila duhet të ecë në rrugët e qytetit, që personifikon njerëzimin, për të çuar pikërisht këtë lajm të gëzueshëm, në Krishtin kemi shpresë. Shpresojmë më mirë, ajo çfarë është më dinjitoze, më e drejtë për jetën njerëzore. Në aspektin logjk, kohor, hapësinor, jemi gjithmonë në lëvizje. Shpresa jonë është që lëvizje jonë mos të jenë drejt një fundi të pafund, por nga një jetë e kalueshme drejt amshimit. Ajo shpresë që na dhurohet në Krishtin, ajo mbetet për amshim, sepse Krishti është ringjallja dhe jeta. Prandaj Maria i dhuroi këtë lajm të gëzueshëm, këtë shpresë, njerëzimit, të cilës i bëjmë jehonë sot edhe nëpërmjer procesionit tonë”,- tha Dom Vlash Palaj.
“Është pajtorja, është ndërmjetësja e qytetit, është ajo avokatja e Shkodrës, e shkodranëve. Historikisht i janë bësuar ndërmjetësisë së saj. Kanë gjetur hir, kanë gjetur mrekulli nga ana e Zotit dhe kështu i kanë qëndruar së vërtetës, besimit, dhe kanë ecur me gëzim, me entuziasëm në jetë përtej vështirësive dhe sfidave që i kanosen njeriut çdo ditë”,- shtoi ai.
Sipas traditës, ikona e Zojës së Shkodrës ndodhej në një kishë të vjetër në qytet. Në shekullin XV, gjatë pushtimit osman, besohet se figura e shenjtë u zhduk në mënyrë mrekullibërëse dhe u shfaq në Genazzano, Itali, ku sot ndodhet në një faltore të famshme me emrin Our Lady of Good Counsel.
Për katolikët shqiptarë, kjo ngjarje u bë simbol i besës, qëndresës dhe lidhjes së përjetshme midis Zojës dhe popullit të Shkodrës.
Çdo vit, kjo festë kulmon me meshën solemne në Katedralen e Shën Shtjefnit dhe procesionin në rrugët e qytetit, ku besimtarët mbajnë statujën e Zojës, këndojnë himne dhe luten për paqe, shëndet e bekim për Shkodrën.