248-vjetori i pavarësisë së Amerikës mblodhi pasditen e së enjte ne kryeqytet figurat më të njohura politike në vend, zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe përfaqësues të medias.

I Ngarkuarit me Punë i ambasadës amerikane David Wisner në fjalën përshëndetëse e vuri theksin te marrëdhëniet shumë të mira SHBA-Shqipëri.

“Lidhjet që bashkojnë dy vendet tona janë forcuar gjatë 102 viteve të fundit. Kemi shumë të përbashkëta, që nga shqiponjat që fluturojnë mbi vendet tona, te dashuria jonë për lirinë, te pasioni për futbollin (sado të ndryshme që janë!), tek amerikanët që vizitojnë dhe jetojnë në Shqipëri dhe komunitetet e mëdha e të talentuara të diasporës shqiptare në SHBA, të ekspozuara këtu. Ndonjëherë dëgjoj se shqiptarët kanë rezerva ndaj shërbimit publik, duke kujtuar ngjyrimet që ky koncept kishte gjatë periudhës së errët në historinë e Shqipërisë. Gjatë vitit tim këtu, kam parë se realiteti është pak më i ndryshëm dhe në fakt më bën të kem më shumë optimizëm”, tha Wisner.

Wisner tha se përgjatë viteve të fundit gjërat janë përmirësuar ndjeshëm me qëllim ndërtimin e demokracisë e Shqipërisë.

“Shoh biznesmenë dhe sipërmarrës që bëjnë novacione, ofrojnë produkte e shërbime të reja, të cilat përmirësojnë jetën dhe krijojnë vende pune, në përpjekje për ta bërë Shqipërinë një vend ku të rinjtë të duan të ndërtojnë jetën e tyre. Shoh përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave të pavarura që marrin përsipër rreziqe dhe mbështesin nevojat e atyre që nuk kanë zë, ndërsa organizojnë qytetarët për çështje të rëndësishme për ta dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë.Shoh gjyqtarë, prokurorë, hetues, avokatë dhe shumë të tjerë që punojnë shumë për të reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që të gjithë të jenë me të vërtetë të barabartë përpara ligjit”, tha Wisner.

I ngarkuari me punë i ambasadës siguroi se SHBA do të vazhdojë të jetë përkrah Shqipërisë si miq, partnerë dhe aleatë të mire.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu