Fillimi i vitit 2026 do ta gjejë të përfunduar edhe fazën e katërt të punimeve në rrugën Bardhaj – Qafë Rrenc, investim i këshillit të qarkut Shkodër në bashkëpunim me bashkinë. Kryetar i qarkut Edmond Ndou inspektoi nga afër punën që po kryhet në terren nga firma fituese e këtij projekti, tejet të rëndësishëm për dy njësi administrative.
Për komunitetin e zonës ky është një investim i shumë pritur që lehtëson lëvizjen e tyre dhe pritet të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit, pasi zona ka potenciale të mëdha. Vetë banorët falenderojnë këshillin e qarkut Shkodër për këtë investim që i nxjerr nga izolimi.
Investimi i deritanishëm ka përmbyllur mbi 3.5 km rruge, nga 5 që ka në total për të lidhur përfundimisht dy njësitë administrative, atë të Rrethinave me Gurin e Zi, që u vjen në ndihmë qindra banorëve. Kjo ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të këtyre fshatrave, që Këshilli i Qarku Shkodër i dha dritën jeshile të investimit.






