Shqipëria e vajzave do të përballet me ekipin e Norvegjisë në raundin e parë të play-off-it e vlefshme për Kampionatin Europian për vajza “Zvicër 2025”. Në shortin e hedhur ditën e sotme në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, goglat e vunë ekipin kuqezi përballë skuadrës së Norvegjisë, teksa Kombëtarja e vajzave njohu edhe rivalen e mundshme për në raundin e dytë të play-off-it.
Në rast se Shqipëria kalon me sukses ekipin e Norvegjisë, në raundin e dytë të play-off-it do të përballet me fituesen e çiftit Kroaci – Irlandë e Veriut. Ndeshjet e raundit të parë të play-off-it do të luhen me sistem vajtje – ardhje në periudhën 23-29 tetor 2024. Shqipëria e vajzave avancoi në raundin e parë të play-off-it pas suksesit të meritur në ndeshjet kualifikuese, ku vajzat kuqezi dominuan në grupin C5. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, kuqezezat regjistruan tre fitore dhe një humbje, duke e mbyllur në vendin e parë në grupin C5 me 9 pikë në total. Falë këtij suksesi përfaqësuesja shqiptare e vajzave siguroi edhe ngjitjen për në Ligën B në edicionin e radhës të UEFA Nations League.