Në Frankfurt të Gjermanisë u hodh shorti i fazës eleminatore të Euro 2024. Shqipëria evitoi tre grupet e para të cilësuara si të zjarrta ndërsa Kosova buzëqesh.
Kombëtarja kuqezi do të sfidojë Poloninë në një tjetër fazë eleminatore pas asaj të Kupës së Botës, por edhe Republikën Çeke e Ishujt Faroe e Moldavinë në një grup me 5 skuadra.
Me fat Kosova që sfidon Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Andorrën dhe Bjellorusinë ndërsa grupet B dhe C vendosin përballë Holandën me Francën dhe Italinë me Anglinë.
Në ceremoninë e hedhjes së shortit, përveçse personaliteteve të shumta të futbollit europian, kanë qenë të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajneri i Kombëtares Edoardo Reja dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Edicioni i 17 i Kampionatit Europian do të organizohet nga Gjermania pasi vendimi u mor në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në vitin 2018. Turqia ishte kandidatura më e fortë përballë gjermanëve por nuk arriti të kalonte kandidaturën që u konsiderua më e plotë dhe bindëse për UEFA-n. Gjermania Përëndimore e ka organizuar këtë eveniment për herë të fundit në vitin 1988 por kjo është hera e parë që ky vend e organizon europianin si një shtet i bashkuar.
Kampionati Europian do të luhet në qytetet, Berlin, Këln, Dortmund, Dusseldorf, Frankfurt, Genselkirchen, Hamburg, Leipzig, Munich dhe Stuttgart. Në 9 prej qyteteve është organizuar edhe Kupa e Botës 2006 me ndryshimin e vetëm që në listë është shtuar Dusseldorf. Euro 2024 starton në datën 14 qershor dhe do të mbyllet me finalen e Berlinit saktësisht një muaj më pas në 14 korrik. Në fazën finale do të marrin pjesë 24 finalistë ndërsa Gjermania është skuadra e vetme e kualifikuar automatikisht si vend organizator. Nga 10 grupet eleminatore, dy skuadrat e para të çdo grupi kualifikohen për në europian ndërsa pjesa tjetër e 3 vendeve të mbetura do të kualifikohen bazuar në ndeshjen play-off të Ligës së Kombeve me ndarjen e 12 ekipeve në 3 grupe të ndryshme.
Faza eleminatore do të nisë në datën 23 mars të 2023 dhe mbyllet në 26 mars të vitit të ardhshëm. Shorti i fazës finale hidhet në fund të vitit 2023 në Hamburg ndërsa ndeshja hapëse në muajin qershor të vitit 2024 do të luhet në “Allianz Arena” të Mynihut.







