Një studim i parë në llojin e vet mbi marrëdhënien midis letërsisë, kulturës popullore dhe kombformimit shqiptar. I tillë është libri me autor Prof.dr. Vehbi Miftari që u promovua në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër. “Etnoletra shqipe”, shtron raportin mes letërsisë së frymës nacionale dhe prirjes ripërtëritëse të kombeve, të aplikuar mbi një tip letërsie e mbi një korpus veprash letrare: letërsinë e hershme shqipe dhe atë romantike.
Letërsia e shkruar shqipe lindi ngaqë në tokën e arbrit qe shtresuar tashmë një traditë popullore, si sinkretizim i traditës lokale dhe kulturës fetare. Pas më shumë se një dekade kërkimesh në fushën e kombformimit dhe studimeve ndërdisiplinare në filozofi, sociologji, kulturë popullore dhe letërsi, autori sjell për lexuesin dhe studiuesin shqiptar një vepër tërësore dhe novatore që shqyrton marrëdhënien e ndërsjellë midis letërsisë shqipe, kulturës popullore dhe proçesit të krijimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar. Libri është konceptuar në tre “libra” tematikë, që trajtojnë: Rolin e letërsisë në krijimin e përkatësive kolektive, në dritën e teorive mbi kombformimin – nga etnosimbolizmi, modernizmi e deri te qasjet bashkëkohore si ajo e David Millerit; Letërsinë identitare të humanistëve shqiptarë – përfaqësuar nga tri “B”-të themelore të letrave shqipe: Buzuku, Budi dhe Bogdani; Romantikët dhe pasromantikët shqiptarë – nga De Rada te Naim Frashëri, e më tej tek Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi, duke analizuar mënyrën se si letërsia ndërvepron me mitet, kujtesën kolektive dhe simbolet kombëtare.






