Institucionet nuk po shpenzojnë dot paratë. Nga mbi 691 miliardë lekë të planifikuara për tu përdorur për investime dhe nevoja të tjera deri në fund të nëntorit, u shpenzuan më pak se 639 miliardë. Thënë ndryshe u realizua vetëm 91 për qind e planit.

“Mos-realizimi i investimeve do të thotë praktikisht se nuk kemi arritur ato objektiva që kishim përcaktuar për vitin 2025 si rritja ekonomike, realizimi i investimeve etj.”, tha eksperti për ekonominë Klodian Muço.

Brenda këtij muaji mbeten për tu shpenzuar 193 miliardë lekë ose rreth 2 miliardë euro. Kjo shifër është sa 23.5 e buxhetit total të këtij viti.

“Në fakt ajo që u vu re muajt e fundit, që u përmend edhe nga funksionarë të rëndësishëm të qeverisë… vihet re një tendencë në zyrat shtetërore se po haset gjithnjë e më tepër vështirësi në zyrat shtetërore në realizimin e investimeve apo në firmosjen e financimeve të projekteve të caktuara për arsye burokratike, legale dhe kryesisht nga frika e institucioneve të drejtësisë”, shtoi Muço.

Ministria e Financave argumenton se shpenzimet patën ecuri të ngadaltë vjet për shkak të vonesave në procedurat tenderuese, vonesave në realizimin e projekteve si dhe në marrjen e fondeve të huaja.

“Nuk mendoj se kjo është arsye. Fundja paratë kanë qenë aty në dispozicion. Tregon për paaftësi të institucioneve për të realizuar investimet”, theksoi eksperti Muço.

Të dhënat nga “financat” tregojnë se realizimin më të ulët të investimeve gjatë këtij viti e ka Ministria e Ekonomisë, ndjekur nga ministria e Brendshme, ministria e Mbrojtjes, e Arsimit, e Bujqësisë, dhe e Infrastrukturës, ndërsa ecurinë më të mirë e ka pasur Ministria e Shëndetësisë./A2

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu