Në Shkodër Ervin Salianji zhvilloi takimin e katërt të tij, në kuadër të revoltës që ka nisur brenda partisë, pa të cilën do të ishte askushi. Arriti të mbushë sallën, por i mungonin ata, demokratët, në emër të të cilëve po tenton të flasë. Asnjë prej strukturave drejtuese dhe eksponentëve apo emrave të njohur nuk ishte i pranishëm. I vetmi që u pa krah tij ishte vetëm një nga nënkryetarët, Arben Lushaj, ish kandidat për deputet dhe një nga këshilltarët bashkiak, i një prej partive të vogla. Të tjerët të rinj, shumica të importuar dhe që më herët nuk janë parë në radhët e Partisë Demokratike dhe me shumë gjasa as këtë mbrëmje, nuk e dinin se për cfarë ishin në atë sallë. Salianji nga ana e tij më shumë se sa foli për zgjidhje konkrete, sulmin më të madh e bëri për PD, drejtuesit e saj, sesa për qeverinë dhe korrupsionin e megaskandalet e saj. Agjenda e Salianjit i ngjan qartazi rrugës së Lulzim Bashës, për të cilin punoi, mori edhe shkopinjtë për të goditur demokratët, që të mbronte ish kryetarin e partisë. Foltorja e tij më shumë se zgjidhje për partinë, është një “luftë” e hapur për pushtetin që i kanë premtuar, prandaj ai bën të fortin e sulmon PD-në, në një kohë kur për sulme të tillla opozita nuk ka nevojë.






