Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësime lidhur me rritjen e çmimit sigurimit të automjeteve, duke e cilësuar atë si një abuzim ndaj qytetarëve dhe një dështim të institucioneve rregullatore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe thotë se çdo ditë përballet me ankesa nga qytetarët, të cilët, pavarësisht se nuk kanë pasur aksidente, po paguajnë çmime më të larta për sigurimin e makinës. Sipas tij, një qytetar i ka dërguar faturën e policës së sigurimit, e cila ishte rritur mbi 20 mijë lekë, edhe pse kishte një vit pa asnjë aksident.
Deputeti theksoi se këtë situatë e kishte paralajmëruar që në muajin nëntor, duke argumentuar se rregullorja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) favorizon kompanitë e sigurimit, pa shpërblyer drejtuesit e mjeteve.
Sipas Braçes, situata përkeqësohet edhe më shumë nga marrëveshje mes kompanive të sigurimit, të cilat sipas tij, zhbëjnë çdo përpjekje rregullatore për mbrojtjen e konsumatorëve.
Postimi i plotë i Erion Braçes:
‘Në punë, në Kuvend, përgjigjja e njerëzve: Erion, nuk ka bonus, çmimi i polices së sigurimit të një makine u rrit, nuk u ul! Këto janë blerjet e një qytetari, mi dërgoj ai, mu betua se nuk kishte bërë asnjë aksident një vit më parë, por çmimi ju rrit në mbi 20 mijë lekë!
Këtë paralajmërova në Kuvend në nëntor, rregullorja e AMF për faktorët e riskut me efekt mbi çmimin e një policë sigurimi është e shbalancuar në favor të kompanive dhe nuk shpërblen ata që sillen ligjshëm e mirë në rrugë; një marrëveshje e ndaluar mes kompanive të sigurimit zhbën edhe këtë rregullore!
Sot mësova në Kuvend se rezolutat e komisionit të ekonomisë për AMF dhe Autoritetin e Konkurrencës, janë hequr nga rendi i ditës; propozonin mbrojtjen e qytetarëve që kanë një makinë nga abuzimi i kompanive te sigurimit!
Ky është rasti tipik kur parlamenti zhvlerëson veten; zhbëhet plotësisht roli i parlamentit në procesin kontrollues të ushtrimit të pushtetit e zbatimin e strukturës rregullatore, veçanërisht në funksionimin e tregjeve e mbrojtjen e qytetarëve nga fuqia e tyre-tregjeve.
Zbehet roli i komisioneve parlamentare, Komisionit të Ekonomisë në këtë rast që rrëzohet keq, thyhet, para abuzimit të tregjeve dhe kapjes së autoriteteve rregullatore! Nuk ka më keq se sa të mos mbrosh njerëzit që të kanë zgjedhur!






