Shqipëria mori atë që duhej në Andorrë: fitoren. Me vuajtje, me sakrifica, por në fund arriti të sigurojë tri pikët që lënë pas përfundimisht Serbinë dhe garantojnë pjesëmarrjen në “play off” të Botërorit që do të zhvillohet në SHBA-Meksikë dhe Kanada verën e ardhshme.
Për ta bërë këtë duhen fituar edhe dy “finale” të tjera por sot u vendos vendi i dytë përfudnimisht dhe ëndrra vazhdon…
Në pjesën e parë, Kombëtarja e kishte zotërimin e topit por ishte steril pasi kuqezinjtë e patën thuajse të pamundur të godisnin portën kundërshtare.
Për këtë 45-minutësh mund të përmendim vetëm goditjen e dënimit të Asllanit në minutën e 18’, ndërkohë që rastin më të mirë e kishte kapiteni Gjimshiti i cili pas ekzekutimit të një goditje këndi, gjuajti me kokë por traversa i mohoi golin dhe në këtë mënyrë pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0.
Në pjesën e dytë, festa erdhi vetëm në minutën e 67’, kur dy të sapofuturit, Bajrami dhe uzuni, krijuan një superaksion, që në fund u finalizua në mënyrën e duhur nga Kristjan Asllani.
Në pjesën e mbetur të lojës, të besuarit e Sylvinhos e menaxhuan në mënyrën më të mirë takimin, duke marrë tre pikët që mjaftonin për të shkruar historinë.
Kështu Shqipëria ka siguruar matematikisht për herë të parë në histori vendin e dytë që të dërgon në “Play off”-in e një Botërori, kjo edhe falë fitores së Anglisë kundër Serbisë.






