Shpërthimet me tritol u rikthyen edhe këtë fillim viti në Shkodër, këtë herë në zonën turistike të Thethit, ku shenjestër ishte hoteli në pronësi të familjes Berishta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:30 të mëngjesit, kur autori, i cili është kapur në kamerat e sigurisë, është afruar në këmbë, ka vendosur lëndën plasëse dhe ka ikur nga vendngjarja. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në object, vecanërisht në katin e parë ku ndodhej edhe marketi në protësi të shtetasve Çesk dhe Ardian Berishta. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë ndihmuar policinë vendore të Shkodrës, që afro 3 orë pas shpërthimit të identifikojnë dhe arrestojnë autorin e dyshuar, shtetasin Frederik Paplekaj 39 vjec. Megjithë kushtet e vështira si pasojë e reshjeve të dëborës dhe prezencës së ngricave si pasojë e temperaturave të ulëta, policia mundi ta arrestojë në Qafe Thore autorin, ndërsa po tentonte të largohej drejt Shkodrës. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 39 vjeçarit për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, ndërsa pritet të bëhet marrja në pyetje e tij për të mësuar arsyet e vendosjes së lëndës plasëse. Ende mbetet e paqartë nëse ky sulm lidhet me ndonjë konflikt mes pronarëve dhe autorit, apo i arrestuari ka qënë i porositur nga një palë e tretë. Kjo pritet të zbardhet pas marrjes së dëshmisë së tij nga uniformat blu./ newspower.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu