E parë nga larg, fotografia e ekonomisë shqiptare duket tërheqëse me hotele dhe kulla luksoze, vizitorë nga të gjitha anët e botës.
Por një vështrim më i detajuar nxjerr një realitet ku pjesa tjetër e vendit, përveç Tiranës dhe Durrësit, po përballet me tkurrje të ekonomisë dhe bizneseve kryesisht si pasojë e rënies së popullsisë.
Vit pas viti, ekonomia dhe popullsia po përqendrohet në rajonin Tiranë-Durrës, duke rritur më tej sfidat për shërbimet komunitare.
Të njëjtin trend po ndjekin edhe bizneset të cilat po rriten vetëm në Rajonin e Qendrës dhe në disa zona turistike, ndërsa shumica e qarqeve tkurret në banorë dhe biznese.
Vitin e kaluar, numri i bizneseve aktive në të gjithë vendin arriti në mbi 132 mijë, me rritje 1.5% në krahasim me vitin 2023, por në 6 qarqe, kryesisht në ato të veriut, numri i tyre ishte në rënie. 47.8% e bizneseve aktive ishin në Qarkun e Tiranës në vitin 2024 nga 47.2% në vitin 2023.
Urbanisti Gent Kaprata mendon se përqendrimi i popullsisë dhe ekonomisë në Tiranë-Durrës ka nxitur zhvillim më të shpejtë në këtë rajon, por kjo gjithashtu ka krijuar pabarazi të zhvillimit territorial.
Mungesa e politikave për zhvillim të balancuar me investime në qarqet e tjera është kthyer në pengesë për zhvillim të qëndrueshëm kombëtar, duke zbrazur zonat e tjera dhe duke përkeqësuar sfidat urbane, tha ai.
Nga ana tjetër, gjatë 2025, Shqipëria ka vijuar të përballet me rënie të popullsisë në të gjitha qarqet e vendit. Numri i bizneseve në disa qarqe ka ndjekur numrin e popullsisë.
P.sh. popullsia e Korçës u tkurr me 2.1% në vitin 2024 në krahasim me 2023, teksa numri i bizneseve në këtë qark në të njëjtën periudhë ra me 2.4%.
Gjithashtu në Qarqet e Elbasanit, Dibrës, Beratit, Kukësit, rënia e bizneseve është në raport të drejtë me popullsinë.
Në disa qarqe ku turizmi është në rritje të vazhdueshme, të tilla si Durrësi, Gjirokastra, Shkodra dhe Vlora, edhe pse popullsia është në rënie, numri i bizneseve ishte në rritje në vitin 2024.
Rritja bizneseve në qarqet ku ka rënie të popullsisë ka shtuar sfidat e bizneseve për gjetjen e punonjësve.
Të dhënat tregojnë një ndarje gjithnjë e më të theksuar midis qarqeve që arrijnë të ruajnë dinamizmin ekonomik përkundër rënies demografike dhe atyre që po përballen me një tkurrje të dyfishtë të popullsisë dhe aktivitetit ekonomik.
Përqendrimi i popullsisë dhe ekonomisë në rajonin Tiranë-Durrës ka ndikime të thella dhe të shumanshme për zhvillimin e Shqipërisë.
Ky rajon tashmë përbën një zonë metropolitane, ku përqendrohen mbi një e treta e popullsisë së vendit dhe një pjesë edhe më e madhe e aktiviteteve ekonomike dhe investimeve.
Turizmi në rritje, nuk reflektohet në zgjerimin e bizneseve të hoteleve dhe restoranteve
Turizmi ka qenë kryefjala e ekonomisë në tre vitet e fundit për kontributin në rritje, në të ardhura, punësim etj., por kjo nuk u reflektua në një numër më të madh restorantesh dhe hotelesh vitin e kaluar.
Të dhënat zyrtare mbi numrin e hoteleve dhe restoranteve për vitin 2024 tregojnë rënie të lehtë në shkallë kombëtare, me 0.5% krahasuar me vitin 2023.
Numri i përgjithshëm i njësive zbriti nga 17,962 në 2023 në 17,879 në 2024, një ndryshim modest, por domethënës në kontekstin e rritjes së turizmit në vend.
Rënia më e theksuar u regjistrua në Elbasan, me 6.3%, duke humbur 83 njësi akomoduese dhe restorante.
Edhe Korça dhe Kukësi pësuan tkurrje të ndjeshme përkatësisht 5.0% dhe 3.9%, ndërsa Dibra dhe Lezha pësuan ulje më të lehta, me 2.9% dhe 3.0%.
Reduktimi në disa qytete me potencial të lartë zhvillimi turistik lidhet me faktorë si investimet e ngadalta publike apo ndryshimet në preferencat e turistëve.
Nga ana tjetër, disa qarqe regjistruan rritje, duke sinjalizuar zhvillim selektiv të infrastrukturës turistike.
Vlora dhe Shkodra ishin ndër të paktat që përfituan, me rritje përkatëse prej 1.6% dhe 2.4%, ndërsa Gjirokastra dhe Tirana patën rritje prej 4.0% dhe 0.7% secila.
Tirana mbetet një nga qendrat kryesore të restoranteve dhe hoteleve me mbi 6,200 njësi aktive, ndërkohë që Vlora ruan pozicionin si destinacion bregdetar me rritje të qëndrueshme.
Durrësi, pavarësisht statusit si një nga qytetet më të vizituara nuk kishte rritje të bizneseve, madje një prej tyre u mbyll.
Rënia në disa qarqe dhe rritja në të tjera shfaq një panoramë të fragmentuar të zhvillimit turistik, që kërkon strategji më të përqendruara për të rritur konkurrueshmërinë dhe kapacitetin mikpritës në të gjithë vendin.
Në qarqe si Elbasani, Korça dhe Kukësi, rënia e strukturave të akomodimit mund të lidhet me mungesën e investimeve të reja në infrastrukturën mbështeste si rrugët dhe energjia.
Shumë biznese të vogla, të hapura pas pandemisë, gjithashtu kanë mbyllur aktivitetin për shkak të kostove në rritje, konkurrencës së lartë apo mungesës së vizitorëve gjatë sezonit të dimrit.
Në zonat më pak të zhvilluara, sidomos në veri dhe lindje, mungesa e stafit të kualifikuar ose largimi i të rinjve për emigrim po pengon funksionimin e hoteleve apo hosteleve ekzistuese.
Zonat me turizëm të kufizuar në muajt e verës kanë më pak interes për investitorët.
Në qytete si Vlora, Tirana dhe Shkodra, rritja e numrit të vizitorëve të huaj dhe shqiptarë ka nxitur hapjen e strukturave të reja, kryesisht apartamente me qira ditore dhe hotele.
Bizneset e tregtisë, rënie në të gjitha qarqet përveç Durrësit dhe Tiranës
Numri i bizneseve në sektorin e tregtisë sipas qarqeve për vitet 2023 dhe 2024 tregon rritje të lehtë në nivel kombëtar, me një shtesë prej 348 njësish tregtare ose 0.8%, por pas kësaj rritjeje të përgjithshme fshihet rënia e aktiviteteve të tregtisë në 10 qarqe.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Tirana regjistron rritjen më të madhe absolute, me 498 njësi tregtare më shumë në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë, ose 2.6% më shumë. E ndjekur nga Durrësi, me 109 njësi më shumë, ose me shtesë 2.1%.
Këto dy qarqe përfaqësojnë zonat më të populluara dhe më dinamike ekonomikisht në vend.
Në të kundërt, qarqe të tjera kanë pësuar rënie të bizneseve që operojnë në sektorin e tregtisë si Dibra (-2.2%), Kukësi (-2.5%), dhe Lezha (-1.7%).
Kjo rënie nuk është e rastësishme, pasi këto janë ndër qarqet më të prekura nga emigracioni dhe plakja e popullsisë. Mungesa e fuqisë punëtore dhe e konsumatorëve potencialë po e bën gjithnjë e më të vështirë mbajtjen në këmbë të bizneseve lokale.
Po ashtu, qarqe si Gjirokastra (-1.1%), Vlora (-1.0%) dhe Elbasani (-1.3%) kanë pësuar rënie, ndonëse më të moderuar.
Në disa qarqe të tjera si në Gjirokastër dhe në Vlorë, emigracioni drejt Greqisë dhe vendeve të tjera ka ndikuar vazhdimisht në tkurrjen e aktivitetit ekonomik lokal.
Të dhënat e vitit 2024 mbështetën trendin, ku bizneset e tregtisë po ndjekin popullsinë.
Me përqendrimin e shqiptarëve në zonat urbane dhe metropolitane, sidomos në Tiranë dhe në Durrës, bizneset e vogla dhe të mesme po zhvendosen gjithashtu drejt këtyre zonave ku mundësitë për treg dhe punësim janë më të larta.
Nga ana tjetër, qarqet me rënien e bizneseve në sektorin e tregtisë përballen me sfida që nuk janë thjesht një çështje ekonomike, por reflektojnë transformim më të gjerë social dhe demografik.
Kriza e industrisë përpunuese reflektohet në qytetet e mëdha
Industria e përpunuese, sidomos sektori fason, ka hyrë në një cikël krize prej tre vitesh në vitin 2025 nga pasojat negative që krijoi nënçmimi i Euros, shtrenjtimi i kostove të brendshme nga rritja e pagës minimale dhe rënia e kërkesës nga jashtë.
Megjithatë bizneset në fushën e industrisë shënuan rritje të lehtë në vitin 2024, kryesisht nga zgjerimi i njësive të agroindustrisë.
Nga viti 2023 në vitin 2024, vihet re rritje shumë e lehtë në total në nivel kombëtar, me vetëm 11 biznese duke e çuar totalin në 9,683 njësi nga 9,672 vitin pararendës.
Kjo përfaqëson rritje minimale prej 0.1%, që tregon se sektori industrisë nuk ka zhvillime dinamike në shkallë të gjerë.
Tirana mbetet qarku me numrin më të madh të bizneseve industriale, me 3,490 biznese në vitin 2024.
Megjithatë, ky qark ka pësuar rënie prej 7 biznesesh në krahasim me vitin 2023, përkatësisht 0.2%, kryesisht si rrjedhojë e falimentit të bizneseve nënkontraktore që qepnin veshje dhe këpucë për kompanitë më të mëdha të eksportit.
Ndër qarqet me rritje pozitive, spikasin Shkodra dhe Fieri. Në Shkodër janë shtuar 15 biznese në sektorin e industrisë duke e çuar numrin e tyre në 529 në 2024 nga 514 që ishin në 2023, që përfaqëson një rritje prej 2.9%.
Edhe në Fier, rritja është e krahasueshme ku në vitin 2024 u numëruan 860 biznese në fushën e industrisë nga 875 biznese në vitin 2024, me rritje 1.7%.
Zhvendosja në qarqe e industrisë vjen për shkak edhe të kostove më të lira të fuqisë punëtore dhe qirave më të lira të ambienteve. Tarifat dhe taksat lokale janë gjithashtu më të ulëta se në Tiranë.
Në Durrës dhe në Vlorë vërehet gjithashtu një rritje, por më e kufizuar. Durrësi ka shtuar 11 biznese në industri ose +0.8% ndërsa Vlora vetëm 5 ose 0.8% më shumë. Në Dibër janë shtuar 4 biznese.
Nga ana tjetër, qarqet që kanë shënuar rënie më të ndjeshme janë Gjirokastra dhe Kukësi, të dy me një tkurrje prej 3.5%. Në Gjirokastër, numri i bizneseve në sektorin e industrisë ra nga 254 në 245, ndërsa në Kukës nga 127 në 122.
Rënie e ngjashme shënohet edhe në Lezhë me 3.5%. Këto shifra tregojnë për vështirësinë në ruajtjen ose nxitjen e aktivitetit industrial në qarqet më periferike ose më të vogla të vendit, ku mungesa e infrastrukturës, fuqisë punëtore ose kërkesës lokale mund të jenë faktorë pengues.
Në qarqet e tjera si Elbasani dhe Korça ka pasur rënie të lehtë të bizneseve të industrisë, përkatësisht me 0.8% dhe 1.2%, që është reflektim i krizës së sektorit fason dhe orientimit të tregut lokal drejt sektorëve të tjerë si shërbimet.
Qarqet më të urbanizuara ose më afër porteve dhe infrastrukturës kryesore si Tirana, Durrësi dhe Fieri vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore, ndërsa disa qarqe të vogla përballen me rënie të aktivitetit.
Politikat zhvillimore për të nxitur industrinë në zona më pak të zhvilluara mbeten kyçe për të balancuar shpërndarjen territoriale të industrisë në Shqipëri.
Kompanitë e ndërtimit, me rritje në të gjitha qarqet, përveç Shkodrës
Sektori i ndërtimit ka shënuar rritjen më të madhe edhe të numrit të bizneseve si në shkallë vendi, ashtu edhe në qarqe duke konfirmuar orientimin e fortë të ekonomisë nga ky sektor.
Në total, numri i bizneseve të ndërtimit është rritur nga 6,955 në vitin 2023 në 7,479 në vitin 2024, me një rritje me 524 biznese ose 8% më shumë sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Tirana mbetet pa diskutim qarku me numrin më të madh të bizneseve në këtë fushë me 3,868 biznese në vitin e kaluar, me 289 njësi më shumë ose 8%.
Zgjerimi pasqyron dinamikën e tregut në kryeqytet, ku kërkesa për banesa vijon të jetë e lartë. Tirana zotëron 52% të të gjitha bizneseve të ndërtimit në vend.
Qarku i dytë me rritjen më të madhe absolute është Vlora, me një shtesë prej 70 biznesesh (rritje 10%) në vitin 2024 në raport me 2023. Kjo lidhet me zhvillimin e zonës bregdetare, ku turizmi po nxit investimet në struktura akomoduese dhe rezidenciale.
Lezha dhe Elbasani shënojnë gjithashtu rritje të konsiderueshme. Vitin e kaluar, 25 kompani ndërtimi u shtuan në Lezhë me rritje 9%, ndërsa në Elbasan u shtuan 26 biznese ose 8% më shumë
Ndërsa pjesa më e madhe e qarqeve kanë shënuar rritje, Shkodra është i vetmi qark që ka regjistruar rënie si në terma absolutë ashtu edhe përqindje.
Në vitin 2023 kishte 245 biznese ndërtimi, ndërsa në 2024 ky numër ka rënë në 239, me një humbje prej 6 biznesesh ose -2%. Kjo rënie ngre pikëpyetje mbi dinamikën e ekonomisë në Qarkun e Shkodrës, që lidhet me mungesën e investimeve të reja dhe rënien e fortë të popullsisë.
Rritje më modeste janë regjistruar në qarqe si Kukësi (+2 biznese), Korça (+3), dhe Dibra (+9), duke reflektuar aktivitet më të ngadaltë në këto zona për shkak të faktorit demografik apo mungesës së projekteve të mëdha.
Të dhënat sugjerojnë një tendencë të përgjithshme pozitive në sektorin e ndërtimit, e udhëhequr nga Tirana dhe zonat turistike si Vlora.
Megjithatë, ndarjet rajonale tregojnë se rritja nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë, me disa qarqe që kanë përjetuar zgjerim më të shpejtë dhe të tjera që vijojnë të mbeten prapa ose të shfaqin rënie.
Këto dallime mund të pasqyrojnë faktorë si zhvillimi ekonomik lokal, migracioni, turizmi dhe politikat publike për investime infrastrukturore, etj.
Ndërmarrjet me mbi 50 punonjës, Elbasani me falimentet më të mëdha
Vitin e kaluar, 27 biznese me mbi 50 punonjës u mbyllën ose ranë poshtë pragut të punësimit 50+ prej vështirësive që ka krijuar rënia e Euros dhe sfidat demografike në qarqe.
Të dhënat tregojnë se Elbasani humbi një të pestën e bizneseve të mëdha (-21%), duke reflektuar vështirësitë në metalurgji, përpunim druri e fasoneri.
Lezha, Dibra, Kukësi, Gjirokastra regjistruan rënie nga 4% në 14%, ku përveç kursit të këmbimit, tkurrja e shpejtë e popullsisë nuk po favorizon bizneset me shumë punonjës.
Tirana që strehon 56% të totalit të bizneseve me mbi 50 punonjës përjetoi vitin e kaluar 13 falimente, kryesisht prodhues tekstilesh dhe përpunim ushqimor.
Nga ana tjetër, Berati dhe Vlora, Durrësi dhe Korça kishin rritje në numër të bizneseve me mbi 50 punonjës si pasojë e zhvillimeve pozitive në turizëm dhe logjistikë.
Prej dy vitesh, Euro ka humbur rreth 15% të vlerës kundrejt Lekut. Dobësimi ka rrënuar fitimet e sektorëve si fasoneria, përpunimi i metaleve, drurit dhe materialeve të ndërtimit etj.
Teksa bizneset nuk mundën të rrisin çmimet e eksporteve në tregjet e Eurozonës, nga ana tjetër kostoja e pagave, energjisë dhe lëndëve të para brenda vendit u rritën prej zhvillimeve në kursin e këmbimit.
Çdo kompani në grupin 50+ punëson mesatarisht 90-100 vetë, ndaj humbja e 27 bizneseve do të thotë rreth 2500 vende pune potencialisht të humbura.
Përveç Euros, edhe rënia e popullsisë po ndikon në mbylljen e bizneseve me shumë punonjës në qarqe.
Dy qarqet me rënien më të madhe të popullsisë, Shkodra dhe Dibra, po humbasin edhe sipërmarrjet me më shumë “50+”
Emigrimi i grupmoshave 20-40 vjeç ka boshatisur bazën e punëtorëve të tekstilit, përpunimit ushqimor dhe drurit. Kompanitë po përballen me vonesa të porosive dhe rritje pagash për të mbajtur stafin.
Me pak banorë dhe ekonomi më të vogël, degët bankare në Dibër e Shkodër kanë zvogëluar portofolin e kredisë në disa qarqe, teksa falimentet po rriten./ monitor