Shqipëria sa vjen e tkurret për nga numri i popullsisë së saj. Të dhëna e fundit që vijnë nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i familjeve në Shqipëri po bie me shpejtësi nga viti në vit, kryesisht si rrjedhojë e emigracionit të lartë.

Në anketën e përvitshme mbi buxhetin e familjeve, INSTAT raporton se numri i familjeve arriti vitin e kaluar në rreth 766 mijë ose 3.412 familje më pak se në vitin 2020.

Të dhënat tregojnë se numri i familjeve ishte me rritje deri në vitin 2018, por pastaj nisi rënia. Në vitin 2019 kishte gati 1000 familje më pak se në 2018-n dhe në vitin 2021 numërohen 7.1 mijë familje ose 1 % më pak se në vitin 2018, kur shënohet dhe numri më i lartë i familjeve në dekadën e fundit.

Pas vitit 2014 u përhap emigrimi masiv i familjeve nëpërmjet kërkesës për azil ekonomik në vendet e BE, kryesisht në Gjermani dhe Francë. Këtë vit një rrugë e re emigracioni me gomone në Britani po gjeneron një trafik të ri të familjeve shqiptare.

Gjithashtu bashkimet familjare me emigrantët e ikur në dekadën e parë të emigracionit po zbrazin vendin gjithnjë e më shumë nga familjet.

Anketa të mëparshme nga INSTAT kanë gjetur se emigracioni në dekadën e fundit mori tiparet e largimit të njësive familjare. Pas heqjes se vizave në vitin 2013 shanset për të emigruar me gjithë familjen u rritën.

Gjeografia e emigracionit në dekadën e fundit ka prekur edhe qarqet me nivelin më të lartë të jetesës siç është Tirana, Fieri dhe Durrësi, ku të ardhurat mesatare të familjeve janë përgjithësisht mbi mesataren kombëtare.

Anketa e emigracionit 2011-2019 ka gjetur se, qyteti i Shkodrës pati nivelin më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë e qarkut.

Pas Shkodrës, Fieri renditet i dyti, ndërsa vendin e gjashtë, e zë Qarku i Kukësit, por ky qark është prekur shumë edhe nga migrimi brenda vendit i popullsisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu