Përditësim i situatës në Qarkun Shkodër – 07.01.2025
Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër dhe në bashkëpunim e koordinim të ngushtë me bashkitë dhe strukturat e Emergjencave Civile, situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll.
Në territorin e Bashkisë Shkodër, reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh dhe deri në këto momente nuk raportohen situata emergjente. Ka pranu te ujit ne disa zona tokë bujqësore dhe ne oborre ne po te njejtat zona. Grupet e punës vijojnë monitorimin dhe punën ne terren në zonat me risk më të lartë. Në zonën e Obotit, në rrugën kryesore evidentohet prani uji rreth 30-40 cm, çka lejon qarkullimin vetëm për mjete të larta, si dhe ka prezencë uji në disa oborre banesash dhe në sipërfaqe toke bujqësore.
Në Bashkinë Vau Dejës, gjatë mbrëmjes së kaluar janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Përroi i Glinës po shfaq tendencë rënieje të nivelit të ujit. Përroi i Gjadrit ka shënuar rënie të nivelit të ujit dhe situata vijon të monitorohet nga strukturat e Emergjencave Civile. Në Njësinë Administrative Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, janë raportuar se rreth 15 familje jenë të bllokuara nga prezenca e ujit, nderkohë që strukturat vendore janë në gatishmëri dhe ndjekin nga afër situatën në terren.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët, pa problematika të raportuara. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Në fshatin Kamicë përroi i thatë është tërhequr nga rruga.
Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve më përpara janë evidentuar shkarje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në disa akse auto-rurale. Rrugët mbeten të hapura për qarkullim dhe po punohet për pastrimin dhe rikthimin e situatës në normalitet.
Në Bashkinë Pukë, aktualisht vijojnë reshjet intensive të shiut të shoqëruara me erë të fortë , pa problematika apo emergjenca civile të raportuara deri në këto momente, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, niveli i ujit në Urën e Bunës është 1.80 m, niveli i Liqenit të Shkodrës ndodhet në kuotën 7.7 m dhe niveli në Dajç në kuotën 6.2 m.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat e Emergjencave Civile për çdo situatë të mundshme.






