Kapja nga Policia e 12 aparateve telefonikë në Burgun e Durrësit, ka ngritur dyshimet se ato mund te jenë përdorur nga të paraburgosurit dhe janë lënë jashtë ambienteve të qelive.

Kjo pritet te mësohet pas rezultateve të ekspertizave që po u bëhen telefonave, ku krahas verifikimit të komunikimeve, ekspertët do të shohin edhe për gjurmët e gishtave.

Të 12 aparatet telefonikë që u kapën në paraburgimin e Durrësit gjatë një operacioni të befasishëm të Policisë Burgjeve të enjten e 29 majit, janë dërguar në laborator për ekspertim, për të zbuluar se kujt i përkasin dhe nëse janë përdorur nga të paraburgosurit.

Celularët janë gjetur në zonën e gjelbër dhe jo në qeli dhe se ekspertimi do të zbardhë nëse përdoreshin prej tyre dhe fshiheshin në ambientin e jashtëm apo ishin fshehur aty në tentativë për t’u futur brenda qelive.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve ka nisur edhe një hetim të thelluar për të zbuluar mënyrën se si këto sende, të palejuara, kanë përfunduar në këtë institucion.

Një ndihmë pritet të japin kamerat e sigurisë së brendshme, por edhe të zonës afër vendit ku u gjetën telefonat, por njëkohësisht edhe shenjat e gishtave që mund të jenë lënë në aparate.

Në qelitë e burgut të Durrësit, mes të paraburgosurve të shumtë janë aktualisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të arrestuar nga Prokuroria e Posaçme, si; ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-deputetët Jurgis Çyrbja e Alqi Bllaku, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, si dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu