Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë përgjatë viteve 2012-2017, Adriatik Llalla, ka fituar statusin e Azilantit Politik në Itali.

Vendimi për dhënien e statusit është marrë nga Gjykata e Romës, e cila pasi shqyrtoi kërkesën e Adriatik Llallës, urdhëroi miratimin e kërkesës, duke i hapur rrugën procedurave të mëtejshme të marrjes së pasaportës italiane, që lëshohet përmes strukturave të Ministrisë së Brendshme.

Burime pranë SPAK thanë ekskluzivisht për “Ora News” se Llalla ka fituar statusin e Azilantit, duke sjellë vështirësi serioze dhe zbehur shpresat për ekstradimin e tij.

Adriatik Llalla, prej muajit Shtator 2021, kishte nisur një betejë ligjore në Romë, duke bindur drejtësinë e këtij vendi se përndjekja dhe dënimi i tij me 2 vite burgim në Shqipëri, ka qenë një iniciativë politike dhe jo e pavarur.

Llalla, mësohet të ketë bindur gjykatën duke i servirur një sërë deklarata sulmesh me eksponentë politikë në Shqipëri dhe jo vetëm, duke pretenduar se procesi penal kundër tij, është ndikuar politikisht.

Pretendimet e ish-kryeprokurorit Llalla, janë pranuar nga Gjykata e Romës, e cila ka miratuar kërkesën, duke parë dhe sjelljen e Llallës, gjatë kohës që ka qëndruar përgjatë 1 viti e gjysëm në këtë shtet. 

Me marrjen e statusit të azilantit politik dhe fitimit të pasaportës italiane, njëherësh Adriatik Llalla nxjerr “Nul” dhe procesin e ekstradimit të tij në Shqipëri, duke e renditur çështjen e tij, në listën e atyre dosjeve që kanë dështuar për sa i përket ekstradimeve.

Hetimi ndaj Llallës, u regjistrua vetëm disa muaj pasi ai kishte lënë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë.

Çështja nisi fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e “fshehjes së pasurisë”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimit të parave”.

Llalla, u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën lëndore dhe dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.

Akuzat ndaj tij u tkurrën në vitin 2021, ku SPAK njoftoi më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën Llalla u dënua në mungesë nga gjykata me dy vite burgim./oranews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu