Aksioni i paralajmëruar për prishjen e ndërtimeve pa leje në parkun kombëtar të Thethit, i parashikuar për në fundin e vitit 2023, do të ekzekutohet brenda muajit Janar të vitit që kemi nisur. Burime për newspower.al bëjnë me dije se Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të zbarkojë me fadroma në pikën turistike të Thethit brenda këtij muaji për të prishur ndërtimet pa leje të parashikuara. Mësohet nga të njëjtat burime të newspower.al, se letra ju është dërguar pronarëve të objekteve, ndërsa IKMT do të ndërhyjë me mbështetjen e forcave të policisë, repartit të FSK, si dhe strukturave të tjera të specializuara, krah të cilave do të jenë edhe drejtues të bashkisë Shkodër. Sipas përllogaritjeve dhe monitorimeve të bëra në terren, mbi 90% e objekteve të ndërtuara në Theth janë pa leje, por IKMT do të ekzekutojë vendimin për prishje për vetëm 8 objekte bëjnë me dije burimet. Aksioni në fjalë pritet të hasë në kundërshtitë e banorëve, që edhe më herët kanë kërkuar pajisjen me leje, pasi në masë kanë deklaruar se ndërtimet janë bërë në pronat e të parëve.