Edmond Ndou i PS është zgjedhur kryetar i këshillit të qarkut të Shkodrës. Në mbledhjen e thirrur pas dorëheqjes së Marina Duhanit nga radhët e PSD, Edmond Ndou mori 18 vota pro dhe 1 kundër nga 19 anëtarët me të drejtë vote për këshillin e qarkut të Shkodrës. Pas vetëm pak muajsh nga drejtimi i këtij institucioni nga PSD, tashmë ky institucion vendor për të gjithë qarkun do të drejtohet nga socialistët. Në fjalën e tij para anëtarëve të këshillit Ndou u shpreh se do të punojë me përkushtim me të gjithë për zhvillimin e qarkut të Shkodrës. “Ju falënderoj për besimin ndaj meje. Falenderim i veçantë për familjen e madhe socialiste… Nga ky moment ndihem i obliguar për të punuar me ju me të gjithë energjitë. Ne kemi mundësi që të gjithë bashkë ta çojmë përpara si qark Shkodrën dhe të jemi nismëtarë kryesorë në qarqe të tjera për obligimet që na ngarkon ligji”, tha Ndou.





