Nga qyteti i Koplikut në Malësinë e Madhe ka nisur zyrtarisht edicioni i dytë i festivalit “Fest Folk 2025”, organizuar nga Ansambli Popullor i Qarkut Shkodër, nën kujdesin e Këshillit të Qarkut dhe Bashkisë Malësi e Madhe.
Ky aktivitet synon të promovojë dhe të përcjellë vlerat e trashëgimisë së pasur kulturore të zonës, duke vënë në qendër muzikën, vallet dhe kostumet tradicionale të trevës.
Artistët vendas sollën në skenë interpretimet autentike të folklorit të Malësisë së Madhe, duke dëshmuar ruajtjen dhe pasurimin e traditave përmes shpirtit artistik të komunitetit.
“Fest Folk 2025” do të udhëtojë në bashkitë e tjera të Qarkut Shkodër, sipas një kalendari të përcaktuar, me pjesëmarrjen e qindra artistëve. Qëllimi kryesor është promovimi i këngëve, valleve dhe kostumografisë popullore si pasuri kulturore, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e turizmit kulturor në rajon.