Prej disa javësh, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini kishte preferuar të qëndronte larg konferencave për shtyp, duke lënë futbollistët të flisnin para ndeshjeve. Mirëpo, këtë të premte trajneri ka dalë para kamerave duke sulmuar kolegët e tij. Përkatërisht bëhet fjalë për trajnerin e Dinamos, Ilir Daja dhe atë të Egnatias, Edlir Tetova.

Gjithçka lidhet me reagimet e dyshes pas ndeshjeve të fundit, ku shprehnin rezerva për arbitrat. Raundin e shkuar Vllaznia u barazua 2-2 vetëm në fund nga Egnatia në Rrogozhinë, ndërsa nesër në “Loro Boriçi” mbërrin Dinamo, sfidë që vlen për raundin e 11-të në Superligë.

Martini është shfaqur para ndeshjes ku ka treguar se te Dinamo dhe Egnatia janë të trembur dhe këtë e tregojnë në konferencat për mediet. Gjithashtu ai kërkon që arbitrat të kenë më shumë autoritet në fushë.

“Kam qejf të rri larg, por ka momente që duhet të jem sepse janë disa situata që nuk më pëlqejnë prej kolegëve të mi trajnera. E shoh që në çdo ndeshje, ose çdo pas ndeshje, sulmojnë egër arbitrat. Njëri thotë ‘ti nuk duhet të arbitrosh më’, tjetri thotë ‘kamera’.

Domethënë është një presion që po i bëhet arbitrave në maksimum. Unë jam ndëshkuar me karton të kuq për asgjë, ndeshjen e parë të kampionatit. Shoh që këto trajnerë që bërtasin, munden të bëjnë gjithçka, nuk po dënohen, nuk po marrin karton të kuq, edhe me fjalët që thonë pas intervistave. Ka raste që duhet të kuptojnë që edhe Shkodra ka zot.

E kam fjalën për ndeshjen e fundit me Egnatian. Nuk e kuptoj, gjyqtarët e FIFA-s duhet të kenë autoritet pak më tepër. Të shash nga fillimi deri në fund, siç ishte rasti i Aleksit, që shante pafund edhe arbitrat, por edhe në pushimin e ndeshjes i bënin presion arbitrave, apo edhe pas ndeshjes. Nuk më pëlqejnë, duhet të kenë më autoritet sepse pastaj agravohet situata dhe nuk është mirë për futbollin shqiptar.

Dinamo? Normal që është një sfidë shumë e vështirë. Dinamo ka një ekip të mirë, që pretendon, por e shoh që janë të trembur, si Egnatia dhe Dinamo. Mënyra si ata komunikojnë pas ndeshjeve, në intervista dhe konferenca për shtyp janë shumë të trembur sepse e dinë që ne jemi këtu dhe jemi më të mirë se ata”, tha mes të tjerash trajneri i Vllaznisë, Edi Martini.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu