Një vajzë e re është gjetur sot pa shenja jete poshtë urës së “Dajlanit” në Durrës.
Mësohet se në trupin e saj janë konstatuar shenja dhune, ndërsa ka plagë të rënda në gjoks dhe në bark.
Ndërkohë pritet që në orët në vijim mjeku ligjor të përcaktojë me çfarë është qëlluar.
“Në lidhje me një informacion të dhënë paraditën e sotme, se rreth orës 10:35, në lagjen nr.13, Durrës, poshtë urës së Dajlanit, ishte gjetur pa shenja jete, një shtetase, ju informojmë se: Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja L. P., 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase e ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës. Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.” – njofton policia.
Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.






