Vllaznia është gjysmëfinalisti i dytë i Kupës së Shqipërisë duke iu bashkangjitur Partizanit. Shkodranët ia dolën që të fitonin 5-4 pas goditjes së penalltive me sfidën që përfundoi me rezultatin 3-3 pas 120 minutave lojë. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri fitues, Thomas Brdaric.
“Si trajner e kam menduar që deri në minutat e fundit do të ishte një ndeshje e vështirë. Elbasani është ekip i fortë. Në kampionat janë paksa mbrapa për Final 4, por në Kupë do luanin fort për një vend në Europë. Kanë investuar shumë, kanë objektivat e tyre dhe tek Elbasani. Jam mjaft i lumtur për ekipin, tifozët, stafin, presidentin, të tregojmë që jemi të gjithë bashkë pasi kjo ndeshje ishte ulje-ngritje. Besojmë në rrugën tonë deri në fund, sot funksionoi.
Mendja ime sot ishte vetëm për ndeshjen e sotme. Nesër do ta mbyllim me këtë ndeshje, për momentin jemi të lumtur duke festuar. Mendoj që e merituam të kualifikoheshim në raundin tjetër. Normal që do të jemi përgatitur edhe për ndeshjen në fundjavë kundër Laçit. Mësuam nga ndeshja e fundit, sot ishte pak më mirë. Gjithmonë mund të bësh diçka më mirë. Kryesorja është që kemi opsione dhe lojtarët duhet t’i implementojnë në fushë. Edhe kundërshtari mund të ndryshojë diçka taktikisht, por ne duhet të jemi variabël në çdo pjesë të fushës, majtas, djathtas.
Falenderoj Çobën pasi këtë sezon ka bërë mjaft mirë, si shumë lojtarë të tjerë. Ai e ka merituar që sot të luante si titullar. Ai nuk është një mbrojtës i majtë, por jemi fleksibël. Ai ka mundësinë që të vrasë mbrojtësit e djathtë me shpejtësinë e tij. Të jemi pozitivë dhe në analizë do të tregojmë ku t’i përmirësojmë këto gabime”, është shprehur Brdaric.