Ekstradohet nga Shqipëria në Itali, 30-vjeçari që akuzohet se organizoi në dhjetor të vitit 2022, në Itali, vrasjen me mjet prerës, të bashkëshortit të motrës së tij.
30-vjeçari, Gezim Gjini u arrestua në Shqipëri, në muajin gusht të vitit 2023, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Infra Atlas”, i cili në atë periudhë zhvillohej paralelisht në disa shtete dhe koordinohej nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua nga Shqipëria në Itali, shtetasi Gezim Gjini, 30 vjeç, banues në Lezhë.
Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Velletri, Itali, me vendimin e datës 17.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje”, për të cilën Kodi Penal i Italisë parashikon deri në 30 vjet burgim.
Shtetasi G. Gj. akuzohet se është organizator i vrasjes së bashkëshortit të motrës së tij, shtetasit P. C., vrasje e kryer me mjet prerës, në Rocca Priora, Itali, më datë 13.12.2022, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë.