Mes personave të cilët është lëshuar urdhër-arrest për grupin e trafikut të drogës Shqipëri-Itali janë edhe dy punonjës policie. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp ishin të pranishëm kreu i SPAK Altin Dumani, kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane si dhe përfaqësuesi për Eurojust për Italinë.

Mes tyre edhe prokurori Vladimir Mara, i cili tha se të dy punonjësit e policisë kanë bashkëpunuar ose janë përfshirë në korrupsion gjatë kohës që ishin në krye të detyrës.

Njëri prej tyre tha prokurori, ishte në pozicion të rëndësishëm. “Kemi pasur dy punonjës të policisë së shtetit, njëri në pozicion të rëndësishëm. Në njërin rast kemi pasur bashkëpunim dhe korrupsion në policinë e Portit të Durrësit. Sa i përket persona të cilët janë lëshuar masa sigurimi, janë kapur dhe organizatorë të këtij grupi”-u shpreh prokurori Mara.

Përveç 52 urdhër-arresteve në Shqipëri dhe Itali në megaoperacionin kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, janë sekuestruar edhe 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës.

Nën sekuestro janë vendosur shoqëria Marquez e Ervin Zeqirit, Felix Vinum e Adi Çobës, Majestic Konstruksion e Juxhin Drazhit, Portslade e Elvis Docit, i njohur si Visi Poja, Dubai Inn e Nexhmedin Danajt, Vlora Cable po ashtu e Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit, raporton A2 CNN.

Gjatë këtij hetimi më parë janë sekuestruar 3 milionë euro, para cash, si të ardhura të këtij grupi kriminal, të cilat i janë nënshtruar hetimit të këtij procedimi penal.

Operacioni u krye me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, Policisë Shqiptare, nën koordinimin e Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Barit dhe SPAK të Tiranës.

Sipas hetimeve, organizata kriminale shqiptare vepronte në shkallë të gjerë përgjatë rrugëve ballkanike, me degë drejt Evropës Veriore dhe vende të konsoliduara zbarkimi për drogën në Puglia, e konsideruar një qendër strategjike për shpërndarjen e narkotikëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu