Dy kandidatë për deputetë të Partisë Socialdemokrate në Lezhë, Leonard Trokthi dhe Etmond Stojani kanë dhënë dorëheqjen nga kandidimi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Dy kandidatët e listës së hapur të partisë së Doshit kanë dorëzuar në KQZ dorëheqjet e tyre.

“Për shkak të pamundësisë aktuale për t’u angazhuar në fushatë zgjedhore, paraqes dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi”, shkruhet në tekstin e dokumentit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga secili prej tyre.

Leonard Trokthi dhe Etmond Stojani ishin 2 nga 7 kandidatët e listës së hapur të PSD-së në Lezhë. Pavarësisht dorëheqjes, emrat e tyre do të vijojnë të mbeten në fletën e votimit që do të përdoret në zgjedhjet e 11 majit në këtë qark.

Me tre deputetë në parlament që mbështetën me votë qeverisjen e Partisë Socialiste, PSD futet në këtë fushatë me një program elektoral që fokusohet tek premtime sociale për një jetë me dinjitet, duke nisur nga fëmijët, pensionistët dhe familjet në nevojë, ndërsa përmban edhe nota kritike për qeverinë e udhëhequr nga Partia Socialiste.

Programi i publikuar në faqen e partisë nis me premtime për dyfishim të shpenzimeve publike për sistemin shëndetësor, rritjen deri në 5% të buxhetit për arsimin, rritje të pagës minimale, vendosje të minimumit jetik dhe rritje pensionesh. Kapitujt e tjerë i kushtohen prodhimit vendas me në fokus fermerët, ku nuk kursehen kritikat për korrupsionin me fondet të programit të BE-së IPARD nga qeverisja socialiste.

Edhe pse PSD ka kandidatë në gjithë vendin, fushatën e ka fokusuar kryesisht në qarkun Shkodër, me ambicjen e shprehur për të marrë 3 mandate.

Në këtë zonë, Tom Doshin e konsiderojnë si një “bamirës” që i hap telefonin çdo njeriu, financon ndërtimin e kishave apo shtrimin e rrugëve të fshatrave, një model fushate që për analistët e politikës cilësohet si ‘klientelist’ dhe që lidhet me dështimin e institucioneve për të ofruar shërbime sociale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu