Askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë është në përmbushje të detyrave, kështu i është përgjigjur kreu i SPAK Altin Dumani, kryeministrit Edi Rama pas deklaratës së këtij të fundit se survejimi i partive politike, është lajthitje.
Dumani prezantoi këtë të premte strategjinë e parandalimit të krimeve elektorale
“Hetimi do kryhet në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik. Krimi zgjedhor edhe ai me financimet jo formale, zgjatja e hetimeve post factum krijon mosbesim. Prandaj SPAK reflektoi me miratimin e strategjisë në përmbushje të detyrimit ligjor. Në përmbushje të rekomandimeve të Kuvendit. Strategjia është publike dhe aksesohet nga kushdo. Po të shikohet me vëmendje, kemi reflektuar shqetësime e organizatave ndërkombëtare, të OJQ por krahas saj edhe disa masa konkrete që kemi vlerësuar se do i shërbejnë hetimit në kohë reale për hetimin e krimit zgjedhor”, tha Altin Dumani.
Gjatë tryezës së diskutimit, me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi si, ambasadorin e BE-së dhe aktorë të shoqërisë civile, Kreu i SPAK shtoi se grupet e hetimit do jenë në terren gjatë fushatës zgjedhore.
“Hetimi do të kryhet në dispozicion të ligjit, as nuk jemi anë e asnjë partie politike”, shtoi kreu i SPAK.
I pranishëm në takim, Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, tha se task-forca e ngritur nga SPAK për monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit, është një nismë e mirëpritur
“Blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijon të jetë problem në Shqipëri. Mirëpres nismën e ndërmarrë nga aktorët kryesorë, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të koordinuar përpjekjet e tyre para zgjedhjeve të 11 majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore, si garanci për besim në këto zgjedhje. Dhe mezi po pres që të dëgjoj më shumë nga këto institucione”, deklaroi Silvio Gonzato.
SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme janë të angazhuar të kenë një bashkëpunim të dedikuar si dhe kanë hartuar strategjinë për parandalimin dhe hetimin e krimeve elektorale gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.