Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur zyrtarisht garën për drejtuesin e ri të SPAK, i cili do të zëvendësojë Altin Dumanin, mandati i të cilit përfundon në muajin dhjetor. Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, u miratua projektvendimi që i hap rrugën zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme. Në mbledhje u dakordësua që kandidatët, nga radhët e SPAK, kanë afat 3 javë për aplikimin, pra deri më datë 8 tetor.

“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.

Relatori Sokol Stojani propozoi 2 javë afat, por Vate Staka kërkoi që afati të jetë 3 javë, ndërsa u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK. Mbledhja e trupës së KLP-së, u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në vendin tonë.

“I bëjmë thirrje prokurorëve të SPAK të aplikojnë, dorëzojnë platformën e tyre mbi çështjet me rëndësi dhe interes publik”, tha Stojani.

Ashtu siç parashikohet dhe me ligj, gara është hapur 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të kryeprokurorit Altin Dumani i cili është zgjedhur për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme më 18 dhjetor 2022. Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që u zgjodh pas përfundimit të mandatit të Arben Krajës, i cili ishte i pari pas krijimit të prokurorisë së posaçme. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9-vjeçar.

Arben Kraja u zgjodh si drejtuesi i parë i SPAK në dhjetor të vitit 2019 ndërsa Altin Dumanit në dhjetor 2022. Dumani e mori drejtimin në një moment kur pritshmëritë e publikut ishin rritur ndjeshëm dhe presioni ndërkombëtar për rezultate konkrete ndaj korrupsionit në nivelet e larta ishte më i fortë se kurrë.

Zgjedhja e tij u bë nën monitorimin e ndërkombëtareve dhe kryesisht të ish-ambasadores amerikane Yuri Kim e cila mbahet mend për paraqitjen dhe qëndrimin në sallë pikërisht në momentin e votimit dhe deri në numërimin e votave të kandidatëve.

Por mesa duke edhe procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri do të ketë të njëjtën vëmendje. Pak ditë më parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu