Policia e Lezhës ka publikuar pamje nga arrestimi i 24-vjeçarit, i cili dyshohet se do u shiste grupeve kriminale mina me telekomandë për shpërthim në distancë. Falë ndërhyrjes së policisë dhe arrestimit të 24-vjeçarit u parandaluan ngjarje të rëndë kriminale që do të kryheshin me minat që policia sekuestroi. I riu u kap me 2 mina me telekomandë, të fshehura në trup nga Fushë Kruja në drejtim të Lezhës, për t’ua shitur grupeve kriminale. Siç duket edhe në video policia ka arrestuar 24-vjeçarin në flagrancë.Ndërkohë mësohet se policia ka sekuestruar 2 mina (me lëndë plasëse C4), me telekomandë për shpërthim në distancë.

Njoftimi i policise:

Policia parandalon ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me mina me telekomandë.

Me 2 mina me telekomandë, të fshehura në trup nga Fushë Kruja në drejtim të Lezhës, për t’ua shitur grupeve kriminale, ndërhyrja në kohë e Policisë vë në pranga 24-vjeçarin.

Sekuestrohen 2 mina (me lëndë plasëse C4), me telekomandë për shpërthim në distancë.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin kundër Trafiqeve të Paligjshme, Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, Forcat Operacionale dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i Ligjit” dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas nga Fushë Kruja, po udhëtonte në drejtim të Lezhës dhe kishte me vete mina me telekomandë, për t’ua shitur grupeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Horizonti”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në afërsi të Milotit, shtetasin e dyshuar A. S.. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 24 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu