DVP Lezhë/Kontrolle intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”.

Finalizohen brenda 24 orëve, në Rrëshen dhe në Kurbin, 3 goditje kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Në operacion u përfshinë komisariatet e Policisë Mirditë dhe Kurbin, Forca e Posaçme Operacionale e DVP Lezhë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.

Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Gjithashtu, procedohen penalisht për shpërdorim të detyrave, 2 kryetarë fshatrash dhe 1 specialist pyjesh.

Asgjësohen rreth 2706 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa.

•Komisariati i Policisë Mirditë, në kuadër të një hetimi 1-mujor, me metoda proaktive, të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, goditi një rast të kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. K., 41 vjeç, banues në fshatin Zheje, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”;
K. D., 33 vjeç, banues në Laç, me detyrë Operator i Zyrës së Shërbimeve për Qytetarët, në Komisariatin e Policisë Kurbin, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, ka informuar autorët e kësaj veprimtarie kriminale, për lëvizjet e Policisë.

Në vijim të këtij operacioni u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e shtetasit të arrestuar E. K., shtetasit A. Z. alias I. L. alias I. L., 39 vjeç, banues në fshatin Sanxhak dhe G. L., 33 vjeç, banues në fshatin Vinjollë.

Nga hetimet dyshohet se të tre këta shtetas kanë kultivuar 1900 bimë narkotike dhe 650 fidanë narkotikë (në kubikë), në afërsi të përroit të Karmës, në fshatin Përshqesh.

Gjithashtu, për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin P. Ll., 62 vjeç, kryetar i fshatit Përshqesh dhe për shtetasin Gj. L., 58 vjeç, specialist pyjesh në fshatin Orosh.

•Në Kurbin, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në inteligjencën policore, në pyjet e fshatit Shëmri, Kurbin, gjetën 3 parcela ku ishin kultivuar 151 bimë narkotike cannabis sativa.

Si rezultat i hetimeve u identifikuan organizatorët e këtij rasti kultivimi, shtetasit S. B., 46 vjeç dhe A. B., 35 vjeç, vëllezër, të dy banues në Kurbin. Në vijim u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 46-vjeçarit, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit A. B..

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Shëmri, shtetasin B. K., 52 vjeç.

•Më tej, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore, në Milot, gjetën disa bimë të tjera narkotike cannabis sativa, si dhe identifikuan dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të kultivimit të tyre, shtetasin A. K., 24 vjeç.

Megaoperacioni kombëtar “Territor i pastër” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu