Ky varg kilometrik i kamionëve, prej më shumë se 24 orësh është prezent në doganën e Hanit të Hotit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Lëvizja e tyre është paralizuar prej orës 11.00 të së hënës së 26 Janarit dhe do të jetë në fuqi deri në orën 11.00 të 29 Janarit, kur është njoftuar përfundimi i protestës së Shoqatës së Kamionistëve të Malit të Zi, ndaj një rregulli të ri të Bashkimit Evropian për sigurinë e kufijve, i cili ka nisur të zbatohet në tetor të vitit të kaluar. Ky rregull kërkon konfirmimin e dyfishtë të dhënave të transportuesve, si dhe përcakton hapësirën kohore që drejtuesit e kamionëve mund të qëndrojnë në vendet e zonës Shengen, e cila është 90 ditë brenda një periudhe 6-mujore, njësoj si për udhëtarët e zakonshëm. Kjo protestë ka krijuar jo pak shqetësime tek kamionistët që ishin nisur për të kaluar nga kjo pikë kufitare, sic është rasti i këtij drejtuesi kamioni nga Italia.
“Jemi këtu të gjithë të ndaluar duke pritur që të hapet dogana, sepse prej dy ditësh është bllokuar. Të paktën duhej të na kishin lajmëruar. Mbi të gjitha, ne kemi ilaçe që duhen transportuar. Është absurde diçka e tillë. Ky ishte udhëtimi im i fundit që kisha planifikuar në karrierën time si shofer, sepse patenta ime skadon të mërkurën dhe nuk arrij dot të udhëtoj, pasi nuk e kishim parashikuar këtë bllokim në doganë.”
Kjo protestë është e koordinuar me shoqatat e kamionistëve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës. Sipas të dhënave të personelit doganor shqiptar, në ditët normale të punës nga kjo pikë qarkullojnë mesatarisht 110 kamionë me mallra, si lëndë drusore, grurë, misër, qumësht, kafshë të gjalla, çimento, fruta-perime e të tjera, si dhe rreth 20 kamionë tranziti.






