Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke bërë të ditur një model të ri pasaporte, që sipas tij do të përdoret nga qytetarët shqiptarë pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai e quajti këtë pasaportë “fytyrën e pasaportës shqiptare evropiane” dhe theksoi se dizajni i ri është në përputhje me standardet e sigurisë të Bashkimit Evropian. Rama u shpreh se, përkundër faktit që shqiptarët sot udhëtojnë pa viza në BE, ata vazhdojnë të përballen me kontrolle shtesë në kufijtë e Europës, siç janë pyetjet për shumën e parave në dorë, rezervimet e hotelit dhe kohëzgjatjen e qëndrimit. Megjithatë, ai theksoi se me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shqiptarët do të kenë të drejtat e plota si çdo qytetar tjetër i BE-së. “Kjo është fytyra e pasaportës shqiptare evropiane,” u shpreh Rama, duke theksuar se dizajni i ri përmban elementët e sigurisë të standardeve të BE-së.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, duke ofruar shqiptarëve mundësinë për të pasur pasaportën e BE-së, mbetet një prioritet kryesor i Partisë Socialiste në këtë fushatë elektorale. Rama theksoi: “Çdo vit kemi ngritur emrin e Shqipërisë lart dhe lart. Tani kemi mundësi reale për t’u bashkuar me BE-në. Nuk është vetëm dëshira jonë, por edhe e BE-së që të na pranojnë. Po punojmë me intensitet për të mbyllur negociatat sa më shpejt. Kemi mundësinë historike t’i përfundojmë ato në 2027, dhe nuk duhet të humbim asnjë minutë, prandaj duhet të dërgojmë një mesazh të fuqishëm më 11 maj.” Programi “Shqipëria 2030” i PS-së synon t’u ofrojë shqiptarëve një perspektivë reale, duke prezantuar një qeverisje të bazuar në strategji të qarta për çdo fushë të jetës. Në zgjedhjet e 11 majit, Rama kërkon votën e shqiptarëve për një mandat të katërt.