Detaje të tjera janë zbardhur nga djegia e një automjeti tip “Audi” në Shkodër.
Nga kamerat e sigurisë shihet një person që afrohet në vendngjarje me motor dhe hedh një shishe me benzinë Molotov drejt mjetit.
Shtetasi Bledar Freskina, pronar i “Audi”-it, rezulton të ketë në pronësi dhe një lokal në Shkodër. Ai ka deklaruar për policinë se nuk e ka idenë se kush janë autorët e vendosjes se molotovit.
“Rreth orës 04:30, shtetas ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hedhur një sasi të vogël lënde plasëse në automjetin e parkuar në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në pronësi të shtetasit B. F., 40 vjeç. Nga ngjarja ka vetëm dëme të pjesshme materiale.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku po punojnë për të përcaktuar autorsinë e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat”, njoftoi policia.
“Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për një automjet që dyshohet se ishte djegur me lëndë plasëse, ju informojmë se:
Nga këqyrja e kamerave dhe veprimet e tjera hetimore në vendngjarje, rezultoi se në automjet nuk është hedhur lënde plasëse, por është hedhur lëndë djegëse.
Vijojnë hetimet për të identifikuar autorin/ët dhe për të zbardhur rrethanat e rastit”, bëri me dije policia në një njoftim të dytë.