Brenda 24 orësh Bordi i Transparencës është mbledhur për të ndryshuar çmimin e naftës.
Ndërkohë që dje çmimi u rrit me 8 lekë duke e çuar në 214 lekë, sot çmimi u ul sërish duke e ulur me 5 lekë.
Po kështu dje bordi e rriti me 4 lekë benzinën duke e çuar nga 191 lekë litri që ishte në 195 lekë litri. Sot benzina do të shitet me 187 lekë/ litre. Pra një ulje prej 4 lekësh.
Nuk ka ndryshuar çmimi gazit, i cili do të shitet me 71 lekë litri.
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 209 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 116 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 3 Dhjetor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Ndonëse në bursa, nafta vijon të mbetet më pak se 90 dollarë për fuçi, në nivele të ngjashme me shkurtin, përpara se të fillonte shtrenjtimi i ndjeshëm si rrjedhojë e sulmit të Rusisë, ndaj Ukrainës. Në krahasim me shkurtin, kur ishte rreth 185-190 lekë, nafta në vend është gati 15% më e shtrenjtë, në tregun vendas.



