Përballë sfidave të vështira, shoqëria ka nevojë për më shumë besim, durim dhe mirësi, tha kreu i Kishës Katolike në veri të Shqipërisë, Monsinjor Simon Kulli në ceremoninë e mbylljes së ‘Muajit të Zojës’ në Kishën me të njëjtin emër në fshatin Dejës.
‘Ka humb sot durimi, butësia, jemi vetëm njerëzit që me njëri-tjetrin tregojnë vetëm egërsi, jo butësi, për fat të keq tregojmë vetëm urrejtje, jo mirësi’, tha imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës.
Në mesazhet e tij, Imzot Simon Kulli, u ndal tek familja, duke bërë thirrje për të mos e shkatërruar dhe ndarë atë.
‘Familja ka rëndësi të jashtëzakonshme dhe të madhe në jetën e secilit njeri. Shkatërrim i familjes dhe një populli është fillimi i shkatërrimit të krejt popullit. Familja nuk mund të jetojë e ndare, vëllezër dhe motra. Nuk mund të ndahet familja, duke u ndarë burri dhe gruaja, e duke me matematikë fëmijët përgjysmë. Nuk është kjo familje. Nuk na nevojitet pasuria kur shkatërrohet familja, nuk shërben asnjë lloj pasurie kur nuk e kam familje ajo është pasura më e madhe që mund të ekzistojë në tokë’, tha Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës.
Bashkimi, tha Ipeshkvi i Sapës, Imzot Kulli dhe harmonia janë armët përballë vështirësive ekonomike në familjet shqiptare.
‘Në një situatë ekonomike qe është e tepër e vështirë që të mund të përballohet, duhet vetëm të jemi të bashkuar me njëri-tjetrin. Bashkimi na forcon, ndërsa përçarja e bën të papërballueshme krizën ekonomike familjare’, tha ai.
Ky apel i Kishës vjen si një thirrje për ndalur divorcet. Mbi 34 mijë shqiptarë mbajnë statusin si persona të divorcuar në vendin tonë. Shumica prej tyre i përkasin grupmoshës 40-50 vjeç, sipas Censit të fundit të popullsisë./shqiptarja.com