Sot, feston ditëlindjen një nga figurat më të njohura të muzikës shqiptare, kompozitori Zef Çoba. I lindur në Shkodër, Çoba është një emër që ka lënë gjurmë të thella në historinë e muzikës shqiptare, veçanërisht në muzikën korale dhe atë artistike qytetare. Me një karrierë që shtrihet në dekada, Zef Çoba është autor i dhjetëra veprave muzikore që janë interpretuar dhe vlerësuar në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Ai mbetet një kontribuues i palodhur në zhvillimin e muzikës në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë, si kompozitor, dirigjent dhe edukator. Përmes krijimtarisë së tij, Zef Çoba ka ruajtur dhe pasuruar traditën muzikore shqiptare, duke e sjellë atë më afër brezave të rinj dhe duke e ngritur në nivele të reja artistike.
Profil, kush eshte Zef Çoba:
Zef Çoba ka lindur në Shkodër më 17 korrik 1951, në një familje të vjetër qytetare. Pasioni i tij për muzikën ka filluar që në moshë të re.
Ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1974, në degën e dirigjimit koral. Ka filluar punën në Peshkopi si përgjegjës muzike pranë Shtëpisë së Kulturës të këtij qyteti. Këtu përveç hulumtimit të pasurive folklorike të kësaj treve fillon të vihet në jetë pasioni i tij për kompozicionin, frytet e të cilit nuk vonojnë. Pas një qëndrimi shtatëvjeçar në qytetin e Peshkopisë në vitin 1980 largohet duke lënë gjurmë me punën e tij të palodhur e pasionante. Pas transferimit me të njëjtën detyrë emërohet në Shtëpinë e Kulturës së qytetit të lindjes. Gjatë kësaj periudhe janë edhe kompozimet e tij për festivalet e fëmijëve që zhvilloheshin në qytetin e Shkodrës. Prej vitit 1991 do të punojë pranë Radio “Shkodrës” si specialist i programeve muzikore. Që nga viti 1997 është drejtues artistik i korit “Schola Cantorum Dom Mikel Koliqi” të Shkodrës.
Vitet në vazhdim do të flasin për një kompozitor të kompletuar, gjë që bëri që në fushën kinematografike të kompozojë muzikën e më se 15 filmave. Ai mori edhe disa çmime në Festivalin e Filmit Shqiptar. Kështu mund të përmendim Medaljonin e Festivalit për muzikën e filmit “Skëterrë ’43”, në Festivalin e IV të Filmit Shqiptar, si dhe Medaljonin e Festivalit për muzikën e filmit “Muri i gjallë”, në Festivalin VIII të Filmit Shqiptar të vitit 1989 dhe së fundi kompozimi i muzikës së filmit “Dashuria e fundit” në vitin 1994. Zef Çoba është një njohës i mirë i muzikës së mrekullueshme botërore dhe asaj shqiptare. Në vitin 1999 ka themeluar në Shkodër Shoqatën Miqtë e Muzikës “Rozafa Expression”. Shoqata zhvillon me sukses një aktivitet artistik e kulturor, kombëtar e ndërkombëtar. Zef Çoba është nderuar me shumë tituj nderi ku mund të përmendim Urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit III – Urdhër i dhënë nga Presidenti i Kuvendit Popullor në vitin 1989, “Nderi i Kulturës Dibrane”, vlerësuar nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë, “Anëtar nderi” i Shoqatës Kulturore Artistike “Besa” në Mal të Zi, “Anëtar nderi” i Shoqatës “Madonna di San Giovanni” Ripatransone-Itali, etj. për të ardhur në vlerësimin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga presidenti Republikes. 22 vjet më parë, brenda pak orëve, brenda një nate, kompozitori Zef Çoba dhe miku i tij, poeti Alfred Çapaliku krijuan këngën aq shumë të njohur “N’xhamadanin vija-vija”. Tashmë kjo këngë këndohet e dëgjohet gjithandej nga shqiptarët e të gjitha moshave dhe është kthyer në një këngë mit, një këngë që frymëzon dhe lidh brezat. “Kënga “KAM NJË LOT M’PIKON SI AR” u kompozua me porosi të këngëtares Shkurte Fejza.