Mirëdita të gjithëve.
Me këtë konferencë shtypi duam t’u bëjmë me dije të gjithëve se, duke filluar nga ky vit 2023,
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka vendosur që çdo vit, të dielën e parë të shkurtit, të kremtohet në
nivel kombëtar Dita për Jetën.
Në vende të ndryshme të botës kjo ditë kremtohet prej vitesh dhe frytet e saj janë të dukshme jo
vetëm në kuptimin e ndërgjegjësimit për çështjen e mbrojtjes së jetës në të gjitha format e saj, por edhe si
ndihmë konkrete që mund t’u jepet të gjithë atyre njerëzve që e kanë të vështirë ta mirëpresin dhe ta
vlerësojnë dhuratën e jetës.
Të dashur, unë, si Ipeshkëv i kësaj Arqidioqeze, e kam fort përzemër që çdo besimtar katolik të jetë
i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje shumë të rëndësishme dhe delikate, në mënyrë që të jetë kujdestar dhe ta
dojë jetën, ashtu si Hyji, i cili është ‘Zoti që e do jetën’ (Ur 11,22). Dhe, siç thotë edhe tema e zgjedhur për
këtë vit: ‘Unë erdha që delet ta kenë jetën, e ta kenë në plotësi’ (Gjn 10,10).
Në shoqërinë tonë shqiptare janë duke u rritur gjithnjë e më shumë rastet e vetëvrasjeve, ashtu si
edhe numri i aksidenteve rrugore, që nuk e ka ndër mend të ulet, të shkaktuara nga mospërfillja e rrezikut,
gjë që tregon se sa pak e vlerësojmë jetën tonë dhe atë të të tjerëve. Gjithë kësaj i shtohet praktika e
neveritshme e abortit, që është vrasje e mirëfilltë (madje vrasje e të pafajshmëve… gjë kjo edhe më e
rëndë!) e barabartë me vrasjet e shumta të kryera nga krimi i organizuar. Duhet të kemi parasysh se
Shqipëria po përjeton një rënie të fortë demografike për shkak të shpopullimit, per mungesen e lindjeve
dhe per aborte te shumta; dhe me kete trend Shqiperia do te kaloi nga kombi më i ri në Evropë në kombin
më të vjetër.
Sidomos në lidhje me plagën e abortit, dua t’u kujtoj të gjithëve atë që Shenjtja Nënë Tereza u
thoshte atyre që donin të abortonin edhe për shkak të keqformimit të fetusit: ‘A nuk i dëshironi? M’i jepni
mua’; për të treguar se jeta e njeriut ka vlerë edhe përballë mangësive dhe keqformimeve. Kisha katolike
ka struktura pritjeje për këto situata, të cilat mund t’i përmirësojmë.
Vëllezër dhe motra, Nëna dhe baballarë, të rinj dhe të reja, ju lutem, të mos harrojmë urdhërin i
pestë: “Mos Vra”. Në emër të Zotit: ta duam jetën, të zhduken dhunat nga zemra dhe nga shtepi tona,
ta respektojmë jetën që nga lindja deri në përmbushjen e saj natyrore!
Të dashur, Zoti na ka krijuar për të qenë sa më të lumtur. Si mund të jetë e lumtur një nënë ose një
vajzë që ka abortuar? Përkundrazi, sa gra vuajnë moralisht, psikikisht për vrasjen e ndërgjegjes, për shkaku
të abortit?
Në fund atyre që kanë përgjegjësinë në jetën shoqërore, politike, ekonomike dhe shendetesore të
këtij kombi, u bëj ftesën që të krijojnë struktura që garantojnë një jetë më cilësore për shqiptarët, në
mënyrë që ata të mos detyrohen të heqin dorë nga atdheu, nga të dashurit e tyre apo, madje, edhe të heqin
dorë nga jeta e tyre.
Faleminderit për vëmendjen. Zoti na ndihmoftë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu