Në Shkodër, një nga zonat më të prekura nga dhuna e regjimit komunist, u mbajt simpoziumi shkencor “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944–1991 – Shkodra përballë të kaluarës”, në përkujtim të 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Ky simpozium u organizua nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqata të ish-të përndjekurve politikë dhe autoritete lokale. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali kujtoi ata njerëz të zhdukur gjatë një periudhe të errët të historisë, e cila vazhdon të kërkojë qartësi, drejtësi dhe përgjegjësi. Spiropali theksoi se Kuvendi ka detyrimin të forcojë kuadrin ligjor dhe mbikëqyrës për të mundësuar një qasje më të thellë dhe transparente ndaj së kaluarës.
Elisa Spiropali, kryetare e kuvendit
“Me datën 30 gusht, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, një datë që për vendin tonë nuk është vetëm një moment kalendarik, por një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim. Qytetërimi bashkëkohor kujton ata shpirtra të pafundëm njerëzish e fatesh të thyera njerëzore në të gjithë botën, për të cilët nuk dihet asgjë. Askund tjetër më tepër se në Shkodër nuk mund të kishte kuptim kjo ceremoni, në këtë komunitet të qëndresës antikomuniste, e cili vuajti si asnjë qytet tjetër në Shqipëri, hakmarrjen e regjimit ndaj kundërshtarëve të tij. Në mënyrë të veçantë, Shkodra është vendi ku kjo thirrje tingëllon më fort, një qytet që u bë simbol i përndjekjes, por edhe i rezistencës, i vuajtjes, por edhe i identitetit të papërkulur qytetar dhe kulturor. Klerikë të arrestuar dhe të pushkatuar me varr të humbur, intelektualë dhe punëtorë, të rinj e të reja të vrarë në kufi, janë viktimat që kërkojnë e meritojnë respekt, kujtesë dhe drejtësi. Nuk është kurrë vonë për të bërë drejtësi, një domosdoshmëri për ndërgjegjen tonë të përbashkët. Ky simpozium nuk është thjesht një nderim për viktimat, por një akt përballjeje me të shkuarën. Një akt që i takon të gjithë shoqërisë, pa dallime dhe pa qëllime politike apo ideologjike. Pa këtë përballje, pa këtë ndërgjegjësim të përbashkët, nuk mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe të drejtë. Le të bëjmë çmos që kujtesa të mos jetë thjesht një akt simbolik, por pjesë e arsimit, e historisë, e kulturës sonë. Le të mësojmë të flasim për të kaluarën me përgjegjësi, jo për të ndarë, por për të kuptuar. Jo për të manipuluar, por për të ndërtuar. Jo për kredo politike, por për një politikë të moralshme. Demokracia nuk përmbushet pa ndëshkimin e krimeve dhe pa njohjen e viktimave. Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme të ndriçuar pa reflektuar me ndershmëri mbi të shkuarën e saj. Ky nuk është një borxh vetëm ndaj atyre që nuk janë më, por edhe ndaj brezave që vijnë. E kaluara na përket të gjithëve si histori, si kujtesë dhe si përgjegjësi”.
Shkodra, për shkak të afërsisë me kufirin e Malit të Zi, ishte gjatë diktaturës një nga pikat më të militarizuara të vendit, ku shumë shqiptarë humbën jetën në përpjekje për t’i shpëtuar regjimit. Të dhënat arkivore të AIDSSH, bashkë me dëshmitë gojore të të mbijetuarve, dëshmojnë për ekzekutime pa gjyq, zhdukje pa varr dhe përndjekje të vazhdueshme të familjeve.
Gjatë simpoziumit u prezantua edhe projekti për memorialin “Muri i Gjakut”, që do të shërbejë si hapësirë e përhershme kujtese për qindra viktima të regjimit në këtë zonë. Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, studiues, ish-të përndjekur politikë, familjarë të viktimave, si dhe autoritete vendore e universitare.
Simpoziumi u shndërrua në një thirrje publike për reflektim, dokumentim dhe edukim të brezave të rinj, me mesazhin se harresa nuk është zgjedhje, por rrezik për përsëritjen e tragjedive të së shkuarës. Gjatë viteve të diktaturës, duke filluar nga vitit 1949, rreth 1000 shqiptarë u vranë në kufi, ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht jashtë vendit në kërkim të lirisë. Vetëm në vitin 1990, kur diktaturës po i vinte fundi, u vranë në kufi 54 persona, pjesa më e madhe të rinj e të reja.