Sot, më 4 nëntor 2025, Shkodra përkujton 35-vjetorin e një ngjarjeje që shënoi kthesën historike të lirisë fetare në Shqipëri, meshën e parë publike pas dekadave të ndalimit të besimit, të mbajtur nga Dom Simon Jubani në varrezat e Rrmajit, më 4 nëntor 1990. Në një kohë kur regjimi komunist ende nuk kishte rënë plotësisht, Dom Simon Jubani sfidoi hapur ndalimin e fesë dhe kremtoi meshën e parë në prani të mijëra besimtarëve që u mblodhën me lot gëzimi e emocione të forta. Ajo ditë u bë simbol i ringjalljes shpirtërore të popullit shqiptar dhe fillimi i rikthimit të besimit në jetën publike. Sot, 35 vjet më vonë, kleri katolik, qytetarë të Shkodrës, përfaqësues të institucioneve shtetërore e fetare, si dhe shumë të rinj që nuk e kanë jetuar atë periudhë, nderojnë figurën e Dom Simon Jubanit dhe sakrificën e tij për lirinë e ndërgjegjes. Dom Simon Jubani mbetet një nga figurat më të ndritura të rezistencës shpirtërore gjatë komunizmit. I burgosur për më shumë se 26 vjet, ai nuk e humbi kurrë besimin dhe pas lirimit vazhdoi të predikonte me guxim për dashurinë, paqen dhe lirinë e njeriut për të besuar. Ngjarja e 4 nëntorit 1990 mbetet një pikë kthese jo vetëm për komunitetin katolik, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, dita kur heshtja e imponuar për dekada u thye dhe fjala “Zot” u shqiptua sërish publikisht.






