Sot, më 5 qershor, bota shënon Ditën Botërore të Mjedisit, me temën e vitit 2025 të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara: “Lufto ndotjen nga plastika”. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin global mbi ndikimet alarmante të ndotjes plastike dhe të nxisë veprime konkrete për një planet më të pastër dhe më të qëndrueshëm.

Fushata e sivjetme thekson rëndësinë e refuzimit, reduktimit, ripërdorimit dhe riciklimit të plastikës, duke inkurajuar njerëzit që të mendojnë me kujdes para përdorimit të produkteve plastike – sidomos atyre njëpërdorimëshe. Fakte shqetësuese mbi ndotjen plastike:

Çdo vit, rreth 11 milionë tonë plastikë përfundojnë në ekosistemet ujore.

Më shumë se 800 specie detare dhe bregdetare preken nga kjo ndotje përmes gëlltitjes apo ngatërrimit. Mikroplastika në det është tashmë më e përhapur se yjet në galaktikën tonë.

Kostoja sociale dhe mjedisore vjetore e ndotjes plastike vlerësohet të jetë nga 300 deri në 600 miliardë dollarë amerikanë. Prodhimi global i plastikës tejkalon 400 milionë tonë në vit, ku gjysma përdoret vetëm një herë – dhe më pak se 10% riciklohet. Grimcat plastike të vogla, deri në 5 mm në diametër, janë tashmë të pranishme në ushqim, ujë dhe ajër. Sipas vlerësimeve, një njeri konsumon mbi 50,000 grimca plastike në vit, shifër që rritet ndjeshëm nëse llogaritet edhe përmes ajrit të thithur. Përdorimi masiv dhe i pakontrolluar i plastikës, sidomos asaj njëpërdorimëshe, ka pasoja të rënda për shëndetin e njeriut, biodiversitetin dhe çdo cep të ekosistemit, nga majat e maleve deri në fundet e oqeaneve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu