Sportistja e Kosovës, Distria Krasniqi ka hyrë në histori si xhudistja më e vlerësuar në botë, duke u renditur e para jo vetëm në kategorinë deri në 52 kilogramë, por edhe në listën e përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, për të gjitha kategoritë, femra dhe meshkuj. Pas fitores së medaljes së argjendtë në Kampionatin Botëror të mbajtur në Budapest, Krasniqi grumbulloi 1400 pikë të reja, duke e çuar totalin e saj në 7055 pikë.
Me këtë rezultat, ajo lë pas të gjithë rivalët, përfshirë edhe emra të njohur të xhudos botërore si rusi Inal Tasoev (7000 pikë) dhe japonezi Sanshiro Murao (6895 pikë). Më parë, kreun e renditjes në kategorinë deri në 52 kg e mbante francezja Amandine Buchard me 5700 pikë, por me pikët e fundit, Krasniqi ka marrë një epërsi bindëse, duke e shtyrë rivalen e saj në vendin e dytë.
Renditja më e fundit, e publikuar të hënën nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, përveçse e ngjit Distrian në majën e sportit, vendos edhe Kosovën në qendër të vëmendjes së arenës ndërkombëtare. Kjo arritje ka rëndësi të jashtëzakonshme në prag të Lojërave Olimpike, pasi renditja botërore përcakton normat olimpike dhe statusin në garat madhore.